Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Zafir Berisha, në “Click” të RTV21, ka folur për vizitën e Jakup Krasniqit në familjen e tij, pas gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij.
Berisha ka thënë se pamjet nga kjo vizitë kanë qenë tejet prekëse dhe të rënda emocionalisht, sidomos duke pasur parasysh moshën dhe sfidat shëndetësore me të cilat po përballet Krasniqi.
Ai ka treguar se Krasniqi ka refuzuar edhe kujdesin shëndetësor, ndërsa përgjegjësinë kryesore për situatën ia ka atribuuar shtetit të Kosovës.
“Në këtë moshë kaq të shtyrë, me këto sfida që po përballet, baca Jakup ka refuzuar edhe kujdesin shëndetësor. Janë pamje të vështira për t’i përshkruar, tepër prekëse, emocionale dhe të rënda. Askush nuk ka pritur që një njeri i Kosovës, e veçanërisht baca Jakup, të vuajë në këtë moshë. Përgjegjësia kryesore është te shteti i Kosovës”, ka deklaruar Berisha.

