Studiues nga Instituti Weizmann i Shkencës dhe Universiteti Hebraik i Jerusalemit kanë zhvilluar një test eksperimental gjaku që e zbuloi kancerin e gjirit në fazë të hershme me saktësi 95 për qind. Rezultatet janë botuar në revistën shkencore Nature.
Sipas studiuesve, testi mund ta parashikojë edhe rrezikun që sëmundja të rikthehet pas trajtimit, madje më mirë se biopsitë e zakonshme të indit.
Si funksionon testi?
Kur qelizat vdesin, ato lëshojnë në gjak nukleozome, copëza të ADN-së të mbështjella rreth proteinave. Edhe qelizat e kancerit e bëjnë këtë.
Teknologjia e zhvilluar nga profesoresha Efrat Shema e Institutit Weizmann përdor mikroskopi me molekula të vetme dhe shënues fluoreshentë për të lexuar dhjetëra „etiketa” epigjenetike në miliona nukleozome.
Nëse ADN-ja është libri i recetave që e mban çdo qelizë, etiketat epigjenetike janë shënimet që i tregojnë qelizës cilat receta t’i ndjekë dhe sa shpesh. Te qelizat e kancerit, këto shënime prishen.
Grupi i profesorit Guy Ron nga Universiteti Hebraik, një grup fizikanësh, i analizoi këto të dhëna me metoda kompjuterike për të gjetur modelet që e tradhtojnë kancerin.
Sa i saktë është?
Shkencëtarët e provuan metodën te mostrat e gjakut të 77 pacienteve me kancer gjiri, të ndjekura për të paktën pesë vjet në Mayo Clinic në Florida, dhe te 30 gra të shëndosha. Ata trajnuan modele të inteligjencës artificiale që arritën saktësi 95 për qind në zbulimin e kancerit të hershëm, kur tumori ishte ende brenda gjirit dhe nuk kalonte dy centimetra.Reklamë
Sipas profesoreshës Shema, testi funksionoi mirë pavarësisht dendësisë së indit të gjirit, që shpesh e vështirëson zbulimin me mamografi, si dhe te lloje të ndryshme të kancerit të gjirit. Rezultati u mbajt edhe kur numri i mostrave u rrit në 188, me ndihmën e qendrave mjekësore Sheba dhe Kaplan.
A mund ta parashikojë rikthimin e sëmundjes?
Edhe kur kanceri i gjirit zbulohet herët dhe trajtimi duket i suksesshëm, sëmundja rikthehet në 20 deri në 40 për qind të rasteve.
Studiuesit zbuluan se edhe tumoret që nuk konsiderohen agresive mund të fshehin një grup të vogël qelizash shumë agresive, me një „nënshkrim” të veçantë epigjenetik.
Sa më shumë ishte i pranishëm ky nënshkrim në gjak, aq më i madh ishte rreziku që sëmundja të rikthehej. Me të, studiuesit i dalluan me saktësi 81 për qind pacientet të cilave kanceri iu rikthye nga ato që nuk patën rikthim. Testi sinjalizoi rrezik edhe te pacientet që metodat e zakonshme i konsideronin me rrezik të ulët.
Kur kanceri i gjirit kapet sa është ende brenda gjirit, shkalla e mbijetesës pesëvjeçare është rreth 99.6 për qind. Kur përhapet në pjesë të largëta të trupit, ajo bie në 32.9 për qind.
Megjithatë, në SHBA, mes viteve 2019 dhe 2023, rreth një e treta e kancereve të gjirit u diagnostikuan kur sëmundja ishte tashmë në fazë të avancuar.
- Kur, dhe nëse, testi do të jetë në dispozicion të pacienteve.
- A do të funksionojë njësoj mirë në depistimin e gjerë të popullsisë, jashtë një studimi të kontrolluar.
- Sa shpesh do të japë alarme të rreme te gratë e shëndosha.
- Sa do të kushtojë.
- A do ta miratojnë agjencitë rregullatore.

