Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Ilir Krasniqi, ka folur për “Klan Kosova” pas humbjes 3-0 ndaj Irlandës, duke pranuar se ndëshkimi me karton të kuq ndikoi drejtpërdrejt në rrjedhën e takimit dhe bëri që “Dardanët” të mos paraqiten në nivelin e tyre të zakonshëm.
Krasniqi theksoi se ekipi kishte udhëtuar me besimin e plotë për të marrë fitoren dhe e kishte nisur mirë ndeshjen, por mbetja me një futbollist më pak i vështirësoi gjërat.
“E kemi ditur që na pret një ndeshje e vështirë. Starti ka qenë i mirë, por më pas loja ndryshoi kur mbetëm me një lojtar më pak dhe patëm vështirësi. Kemi besuar se do të kthehemi me fitore, por sot ishte e shkruar të ndodhte edhe kartoni, dhe loja të mos ishte në nivelin që jemi mësuar të luajmë”, deklaroi Krasniqi.
Në fund, ai shtoi se kjo disfatë duhet të shërbejë si mësim për ndeshjet e radhës dhe se skuadra ka vazhdimisht nevojë për përmirësime.
“Shpresoj që kjo ndeshje të harrohet shpejt dhe të na japë një mësim për herën e ardhshme. Kemi nevojë për përmirësime çdo herë”, përfundoi mbrojtësi kosovar. /IndeksOnline/

