Një vaksinë e re kundër kancerit të lëkurës, e cila po zhvillohet nga shkencëtarët, mund të ulë për 42 për qind rrezikun e rikthimit të sëmundjes pas ndërhyrjes kirurgjikale, tregojnë rezultatet e studimeve të hershme.
Sipas Mirror, çdo vit në Mbretërinë e Bashkuar diagnostikohen rreth 20,980 persona me melanomë, ndërsa 10 deri në 15 për qind e pacientëve përballen me rikthimin e kancerit pas operacionit, transmeton Klankosova.tv.
Ndryshe nga vaksinat tradicionale, kjo vaksinë përgatitet në mënyrë individuale për secilin pacient. Pasi kirurgu largon tumorin, shkencëtarët analizojnë ADN-në e qelizave kancerogjene dhe e krahasojnë atë me qelizat e shëndetshme të pacientit, për të identifikuar dallimet.
Më pas, këto karakteristika përdoren për të krijuar një udhëzim gjenetik të quajtur mRNA, i cili injektohet në organizëm. Sistemi imunitar mëson t'i njohë qelizat kancerogjene si kërcënim, duke aktivizuar qelizat T për të identifikuar dhe shkatërruar qelizat e mbetura të kancerit pas operacionit.
Vaksina po zhvillohet nga kompanitë farmaceutike amerikane Moderna dhe Merck. Faza e tretë e studimit klinik ka përfunduar muajin e kaluar, ndërsa shkencëtarët tashmë po ndjekin efektet afatgjata të saj te pacientët dhe ndikimin në mbijetesë.
Megjithatë, vaksina ende nuk është miratuar nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe nuk është e disponueshme për përdorim të zakonshëm jashtë studimeve klinike.
Melanoma zhvillohet në melanocite, qelizat që prodhojnë melaninën, pigmentin që i jep ngjyrë lëkurës. Ajo është më pak e zakonshme se disa lloje të tjera të kancerit të lëkurës, por ka prirje të përhapet në pjesë të tjera të trupit nëse nuk zbulohet në fazat e hershme.
Melanoma konsiderohet një nga llojet më serioze të kancerit të lëkurës, ndaj zbulimi i hershëm dhe trajtimi në kohë mbeten thelbësore. /Klankosova.tv

