Mbi një çerek milioni fëmijë në Haiti pritet të përballen me kequshqyerje akute deri në vitin e ardhshëm, ka paralajmëruar një raport ndërkombëtar. Kriza po përkeqësohet nga dhuna e bandave të armatosura dhe zhvendosja masive e popullsisë, të cilat po pengojnë edhe shpërndarjen e ndihmave humanitare, transmeton klankosova.tv
Sipas raportit të Klasifikimit të Integruar të Fazave të Sigurisë Ushqimore, rreth 253 mijë e 700 fëmijë të moshës deri në pesë vjeç pritet të vuajnë nga kequshqyerja akute deri në maj të vitit 2027.
Prej tyre, gati 94 mijë raste parashikohet të jenë të rënda dhe me rrezik për jetën.
Raporti paralajmëron gjithashtu se më shumë se 25 mijë e 700 gra shtatzëna dhe nëna që ushqejnë fëmijët me gji pritet të përballen me kequshqyerje akute.
Sipas Reuters, dhuna e armatosur dhe zhvendosja masive e banorëve po vështirësojnë dërgimin e ndihmave te familjet më të cenueshme, si dhe po kufizojnë qasjen e fëmijëve në shërbimet shëndetësore.
Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth 7 mijë persona janë larguar nga shtëpitë e tyre në zonën ku ushtarët salvadorianë ishin parë për herë të fundit dhe ku operacionet e sigurisë janë intensifikuar ndjeshëm.
Shumica e të zhvendosurve janë strehuar te familjarët dhe miqtë, ndërsa rreth 280 persona janë vendosur në kampe të përkohshme në shkolla dhe kisha në kryeqytet.

