Policia e Kosovës ka konfiskuar një armë zjarri në Skenderaj, pas hetimeve lidhur me të shtënat me armë gjatë një ahengu familjar.
Rasti është zbuluar pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shihej një person duke shtënë me armë zjarri.
Sipas njoftimit të Policisë, pas veprimeve hetimore dhe me autorizim të prokurorit kompetent, zyrtarët policorë kanë arritur ta identifikojnë të dyshuarin, ndërsa më pas kanë kryer bastisje në shtëpinë e tij.
“Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe konfiskuar një pistoletë, e cila do të shërbejë si provë materiale në procedurën hetimore”, thuhet në njoftim.
I dyshuari është intervistuar nga organet e rendit dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.
Ndaj tij është iniciuar rast penal për veprat “Përdorimi i armës” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

