Përfaqësuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Xhavit Jashari, e ka cilësuar si politik aktgjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, duke thënë se përmes këtij procesi po synohet të goditet edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe shtetësia e Kosovës.
I ftuar në emisionin “Debat Plus”, Jashari ka thënë se organizatat e dala nga lufta e kanë kundërshtuar që nga fillimi themelimin e Gjykatës Speciale, duke organizuar edhe protesta para Kuvendit të Kosovës.
Ai ka deklaruar se vendimi i fundit është, sipas tij, vazhdimësi e një procesi të njëanshëm dhe politik.
“Sot nuk mund të themi diçka të re, pasi kjo u dëgjua edhe nga vetë presidenti Thaçi, përveç asaj që e kemi thënë në vazhdimësi se kjo është një gjykatë politike dhe vazhdimisht është duke u faktuar se është e tillë, në të cilën s’kemi besuar dhe e kemi kundërshtuar si të tillë. Si organizata të dala nga lufta kemi protestuar para Parlamentit dhe kemi bërë thirrje që të mos krijohet një gjykatë e tillë, sepse vetë krijimi i saj ka qenë i njëanshëm dhe politik”, ka deklaruar Jashari.
Ai ka tërhequr vëmendjen edhe te data e shpalljes së aktgjykimit, më 17 nëntor, duke e ndërlidhur atë me historinë e themelimit të UÇK-së më 17 nëntor 1994.
Sipas Jasharit, në atë datë ishte marrë vendimi për bashkimin e grupeve që vepronin në ilegalitet dhe kryenin aksione, me synimin që lufta për çlirimin e Kosovës të zhvillohej nën emblemën e UÇK-së.
“Më 17 nëntor 1994 u emërtua Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ku në atë takim u mor vendim për t’u bashkuar grupet e atëhershme që vepronin në ilegalitet e kryenin aksione dhe u mor vendim që deri në çlirimin e Kosovës lufta të bëhej me emblemën e UÇK-së. Ne mendojmë se pikërisht ky vendim në këtë datë nuk është pa qëllim, ku u dënua njëri prej themeluesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, dhe 17-shi i fundit me 17 muaj dënim”, u shpreh ai.
Jashari ka thënë se organizatat e dala nga lufta e konsiderojnë këtë proces si goditje jo vetëm ndaj Thaçit, por edhe ndaj UÇK-së dhe shtetësisë së Kosovës.
Ai ka bërë thirrje për unitet në vazhdimin e procesit gjyqësor, duke kërkuar që institucionet të krijojnë një grup me ekspertë juridikë për të vazhduar mbrojtjen në Gjykatën e Apelit.
Kujtojmë se sot Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shpallur aktgjykimin në rastin për pengim të drejtësisë, ku ish-presidenti Hashim Thaçi dhe katër të tjerë akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Thaçi është dënuar me 17 muaj burgim, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu me nga 12 muaj burgim, ndërsa Hajredin Kuçi me një muaj burgim me kusht. Në anën tjetër, Isni Kilaj është shpallur i pafajshëm.

