Shpërthime janë dëgjuar në kryeqytetin ukrainas, Kiev, ndërsa autoritetet kanë njoftuar se qyteti po përballet me një sulm me raketa balistike nga Rusia.
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, deklaroi se sistemet e mbrojtjes ajrore janë aktivizuar për të përballuar sulmin.
“Forcat e mbrojtjes ajrore janë në veprim në kryeqytet. Kievi është nën sulm me raketa balistike. Qëndroni në strehimore!”, shkroi Klitschko në Telegram.
Sipas agjencisë Reuters, shpërthime janë dëgjuar në pjesë të ndryshme të qytetit, transmeton Telegrafi.
Ndërkohë, Christopher Miller, korrespondenti kryesor i Financial Times për Ukrainën, raportoi në platformën X se kryeqyteti po përballet me një “sulm me raketa balistike”.
Ai tha se një seri shpërthimesh kishte tronditur Kievin, në një kohë kur banorët po përgatiteshin të flinin. Sipas tij, autoritetet kishin aktivizuar alarmin e kuq ajror dhe u kishin bërë thirrje qytetarëve të strehoheshin në ambiente nëntokësore.
Vetëm disa orë para sulmit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte paralajmëruar se inteligjenca e vendit kishte siguruar informacione për sulme të mëdha ruse gjatë natës.
Megjithatë, deri në raportimet e fundit nuk janë bërë të ditura detaje për dëmet apo viktimat e mundshme nga sulmi. /Telegrafi/

