Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të hënën se mund të takohet me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, gjatë vizitës së tij në Kinë këtë javë.
Trump i bëri këto komente para gazetarëve, teksa po largohej nga Shtëpia e Bardhë për të nisur udhëtimin e tij në Azi, ku fillimisht do të mbërrijë në Filipine të martën, transmeton Telegrafi.
Më pas, presidenti amerikan pritet të udhëtojë drejt Kinës, ku është planifikuar të marrë pjesë në bisedime trepalëshe me homologët e tij rusë dhe kinezë, Vladimir Putin dhe Xi Jinping.
“Ne mund të takohemi edhe me Kim Jong-un. Kjo do të ishte mirë. Kemi mundësinë të arrijmë shumë gjëra”, u tha Trump gazetarëve.
Trump planifikon të diskutojë çështjen e çarmatimit bërthamor gjatë takimeve me Putinin dhe Xi Jinpingun në qytetin Shenzhen, në juglindje të Kinës. Bisedimet pritet të zhvillohen në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
“Do të flasim për denuklearizimin. Është një çështje e vështirë, sepse është shumë e vështirë për cilindo prej nesh të thotë se do të heqim dorë nga armët tona bërthamore”, deklaroi Trump të hënën.
Ai shtoi se diskutimet do të përfshijnë edhe luftërat në Iran dhe Ukrainë, si dhe çështjet e ekonomisë dhe tregtisë.
Në gusht, Trump kishte folur pozitivisht për raportet e tij me liderin e Koresë së Veriut dhe kishte shprehur pritjen se të dy do të takoheshin gjatë këtij viti, pa dhënë detaje të tjera.
“Fakti që unë shkoj mirë me të është diçka e mirë, jo e keqe. Ai ka 57 armë bërthamore shumë të fuqishme. Nuk duhej të ishte lejuar kurrë që kjo të ndodhte”, kishte deklaruar Trump.
Ai kishte shtuar se, po të ishte president në atë kohë, nuk do të kishte lejuar që Koreja e Veriut të siguronte armë të tilla.
Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, deklaroi në shtator se raportimet për zgjerimin e prodhimit të materialeve bërthamore të Koresë së Veriut, të përshtatshme për armë, përbëjnë “shkak për shqetësim serioz”. /Telegrafi/

