Ka përfunduar pjesa e parë e superpërballjes mes Gjermanisë dhe Holandës, me gjermanët që shkojnë në pushim me epërsinë minimale 1-0.
Gjermania e nisi furishëm takimin, ku sulmuesi me prejardhje shqiptare, Brajan Gruda, është aktivizuar nga minuta e parë, duke u dalluar me lëvizjet e tij në fazën ofensive.
Rastin e parë serioz të takimit e patën holandezët në minutën e 9-të me anë të Donyell Malen, goditja me kokë e të cilit u ndal pa problem nga portieri gjerman. Më pas, në minutën e 24-të, Kai Havertz rrezikoi seriozisht portën e “Tulipanëve” po ashtu me kokë, por gardiani kundërshtar u tregua i vëmendshëm, transmeton IndeksOnline.
Një nga protagonistët kryesorë të 45 minutave të para ishte padyshim Derry Scherhant. Në minutën e 32-të, ai pati një mundësi të artë shënimi, por goditja e tij u ndal nga shtylla e djathtë.
Megjithatë, Scherhant nuk gaboi në minutën e 41-të. Pas një aksioni fantastik ekipor dhe një pasimi mjeshtëror nga Joshua Kimmich brenda zonës, ai dërgoi topin në këndin e sipërm të djathtë të portës, duke zhbllokuar rezultatin në 1-0.

