Me rastin e Ditës Botërore të Diabetit, AMC dhe Tip1omël kanë ripërsëritur thirrjen për përfshirjen e sensorëve për monitorimin e vazhdueshëm të glukozës (CGM), pompave të insulinës dhe materialeve përcjellëse në Listën e Pajisjeve dhe Materialeve Mjekësore Esenciale të Kosovës.
Sipas organizatave, peticioni i tyre deri më tani ka mbledhur mbi 2,300 nënshkrime, ndërsa synimi është arritja e 10 mijë nënshkrimeve.
Ato theksojnë se qasja në teknologjinë moderne është thelbësore për menaxhimin e diabetit të tipit 1 dhe për sigurimin e një jete më të sigurt dhe më cilësore për personat që jetojnë me këtë gjendje.
AMC dhe Tip1omël kanë ftuar qytetarët që t’i bashkohen kësaj nisme duke nënshkruar dhe shpërndarë peticionin.

