Bashkimi Evropian po vijon përpjekjet për të çuar përpara procesin e zgjerimit, ndërsa Shqipëria renditet mes vendeve që konsiderohen pranë anëtarësimit në union.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, në një intervistë për televizionin “France24”, theksoi rëndësinë strategjike të zgjerimit, duke nënvizuar se procesi duhet të mbetet i bazuar në merita dhe në përmbushjen e standardeve europiane. Ajo përmendi posaçërisht Shqipërinë, së bashku me Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, si vende që synojnë anëtarësimin në familjen europiane.
“Ne po vijojmë që të bëjmë hapa para me procesin e zgjerimit. Shpresojmë që Mali i Zi ta kalojë vijën e finishit së shpejti. Kemi edhe shtete të tjera të rëndësishme që janë vërtet shumë pranë tij në këtë proces. Kemi Shqipërinë, Moldavinë, Ukrainën, si dhe shtete të tjera që aspirojnë të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian.
Procesi i zgjerimit nga njëra anë është i vështirë, por është gjithashtu e rëndësishme që këto shtete të fitojnë qasje në tregun e përbashkët, si dhe në lëvizjen e lirë të njerëzve. Ky proces duhet të vijoje që të jetë i bazuar në merita individuale.
Zgjerimi duhet që të jetë gjithashtu një proces ku ne verifikojmë nëse një shtet kandidat respekton vërtet sundimin e ligjit dhe të gjitha parimet thelbësore që janë të rëndësishme për Bashkimin Evropian. Përndryshe, pasi këto shtete të jenë bërë pjesë e Bashkimit Evropian, zbatimi i reformave bëhet shumë më i vështirë sesa më parë.
Mendoj se është e rëndësishme që të zgjerohemi sepse është një vendim gjeopolitik. Ajo që mendoj unë është se, në situatën aktuale të sigurisë, duhet të flasim edhe me qytetarët tanë për vlerat që këto shtete do të na sjellin në familjen evropiane”, deklaroi Kallas.

