Qeveria amerikane nuk po përjashton asnjë mundësi lidhur me shkakun e problemit të komunikimeve që ka prekur trafikun ajror në Shtetet e Bashkuara, ka deklaruar sekretari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin.
Duke folur para gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë, Mullin nuk pranoi të tregonte se çfarë e kishte shkaktuar problemin, duke theksuar se përparësi ishte sigurimi i të gjithëve dhe rikthimi i komunikimeve, raporton "Sky News".
Ai tha se autoritetet kanë pranuar shumë telefonata nga qytetarët të shqetësuar nëse bëhej fjalë për një sulm terrorist.
“Po marrim një numër të madh telefonatash me pyetjen: ‘A është ky një sulm terrorist?’. Të gjithë janë të sigurt. Nuk ka arsye të shqetësoheni për të dashurit tuaj”, tha Mullin.
Ai shtoi se, gjatë hetimit për shkaqet e incidentit, autoritetet duhet të marrin parasysh edhe mundësinë e një sulmi kibernetik, duke pasur parasysh numrin e madh të sulmeve të tilla.
“Gjëja e parë që do të bëjmë është të rikthejmë komunikimet dhe më pas operacionet normale”, deklaroi ai.
Mullin tha gjithashtu se nuk ka arsye që incidenti të lidhet me ndërprerjen e shërbimeve të Microsoft-it.
Ai hodhi poshtë edhe krahasimet me sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, duke theksuar se situata nuk përbën rrezik për qytetarët amerikanë.
“Duam të sigurojmë qytetarët se kjo nuk është çështje e sigurisë së tyre dhe as një tjetër 11 shtator. Shumë njerëz po bëjnë këtë krahasim, por nuk është kështu”, tha sekretari amerikan. /Klankosova.tv

