Disa ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shprehu ambiciet për një mandat të dytë, rizgjedhja e saj për pesë vite të tjera në krye të vendit, varet nga politika e brendshme.
Sipas analistëve politikë, Osmani ka luajtur një rol të rëndësishëm në afirmimin dhe përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, mirëpo zgjedhja e saj sërish si presidente do të varet nga kalkulimet politike.
Sipas tyre, Osmani duhet fillimisht të sigurojë mbështetjen e liderit të LVV-së, Albin Kurti, partia e të cilit fitoi bindshëm zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 4 prill 2026. Sipas Kushtetutës së Kosovës, një president i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, që do të thotë deri më 4 mars 2026.
Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thekson për KosovaPress, se Osmani e meriton edhe një mandat tjetër pesëvjeçar. Ai vlerëson se presidentja ka luajtur një rol të rëndësishëm në afirmimin dhe përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare gjatë pesë viteve të fundit, andaj duhet të përkrahet nga deputetët në legjislaturën e dhjetë.
“Ajo e meriton edhe një mandat tjetër dhe momenti është që të përkrahet nga deputetët dhe jo të ndodh e kundërta, pa marrë parasysh faktin se çfarëdo kandidati tjetër konsensual që mund të kërkohet nga opozita, me gjithë respektin nuk mund ta zëvendësojë rolin që mund ta ketë tani pas pesë vjet përvojë dhe dëshmimit të saj të suksesshëm në afirmimin e Kosovës siç zonja Osmani. Do të ishte në të mirë të Kosovës që ajo të merrte edhe një mandat tjetër”, thotë ai.
Ndërkaq, analisti politik, Dorajet Imeri, nënvizon se vendimi për rizgjedhjen e Osmanit nuk do të varet vetëm nga performanca dhe reputacioni i saj, por kryesisht nga politika e brendshme.
Ai thotë për KosovaPress, se rizgjedhja e Osmanit do të varet kryesisht nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, partia e të cilit ka fituar 57 deputetë në Kuvend dhe pritet të formojë qeverinë e re së bashku me komunitetet jo-serbe.
“Sa i përket zonjës Osmani dhe rizgjedhjes së saj potenciale, për shkakun se ajo sapo e ka deklaruar gatishmërinë për të rikandiduar edhe një herë për presidente, varet nga shumë faktorë, por kryesori mbetet LVV-ja dhe kryetari i saj Albin Kurti. Të gjitha këto mund të jenë në kuadër të pritshmërive të ardhshme, të cilat do të varen ekskluzivisht nga qëndrimet dhe vizioni që do të ketë ky subjekt politik në ditët në vijim”, thekson ai.
Duke bërë një analizë të punës pesëvjeçare të Osmanit, profesori Baraliu thotë se Osmani e ka përfaqësuar denjësisht Kosovën në arenën ndërkombëtare. Madje, ia atribuon meritat kryesore edhe për sigurimin e katër njohjeve të reja gjatë vitit të kaluar.
“Marrë në terren me të gjitha ngritjet dhe rëniet eventuale që mund t’i përshkruhen nga faktorë dhe grupacione të ndryshme në shoqërinë kosovare, se ajo ishte apo jo e denjë (në pozitën e presidentit). Por jam i bindur thellë dhe nëse gjykojmë drejt dhe paanshmërisht në interes të republikës, ajo me veprimtarinë e saj ka bërë një afirmim të jashtëzakonshëm të Kosovës në qarqet ndërkombëtare. Është personi që jo vetëm në Kosovë, krahasuar edhe me liderët e tjerë, por edhe me kryeministrin në detyrë dhe të tjerët, paraprakisht ka pasur vizita gjithandej anës së botës dhe takuar njerëzit më të rëndësishëm. Ka afirmuar dhe përfaqësuar politikën e jashtme, për çka është kompetente me kushtetutë në mënyrën më të denjë dhe suksesshme. Kemi katër njohje dhe një meritë kryesore, dhe më e madhja është e presidentes së vendit”, shton Baraliu.
Përndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në intervistën për KosovaPress, ka thënë se e kanë parë deklarimin e presidentes por së pari janë tre hapa përpara, që është formimi i Kuvendit dhe Qeverisë, si dhe miratimi i buxhetit dhe se nuk mund të flitet për hapin e katër pa kaluar ata tre.
Kurti ka thënë se është e rëndësishme që të ulen me presidenten Osmani dhe të diskutojnë të gjitha gjërat, pasi kanë 61 vota por jo 80, gjë që po ndikon edhe në kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Për zgjedhjen e presidentit në dy raundet e para nevojitet një shumicë prej tetëdhjetë votash në Kuvend. Nëse një gjë e tillë nuk arrihet, atëherë në raundin e tretë presidenti mund të zgjidhet me 61 vota. Në të kundërtën, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme.
Në bazë të rezultatit preliminar të KQZ-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.11% ose 486,994 vota. Pas saj, është Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka 20.19% ose 192,407 vota. E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.23% ose 126,102 vota. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.50% ose 52,370 vota.
Në bazë të këtij rezultati, LVV do t’i ketë 57 deputetë, PDK 22 deputetë, LDK 15 deputetë, AAK 6 deputetë, si dhe komunitetet joshumicë 20 deputetë.