Kryeministri Albin Kurti, mori pjesë sot në akademinë solemne të organizuar me rastin e 30-vjetorit të vdekjes së Imzot Nikë Prelës dhe 20-vjetorit të vdekjes së Imzot Mark Sopit. Akademia u mbajt në qendrën Bogdanipolis, pranë Katedrales në Prishtinë.
Duke përkujtuar jetën dhe veprën e këtyre dy personaliteteve të rëndësishme, kryeministri Kurti tha se Imzot Prela dhe Imzot Sopi ishin jo vetëm udhëheqës fetarë, por edhe bartës të një etike të lartë publike, përfaqësues të një morali të rrallë qytetar dhe dëshmitarë të një kohe të vështirë për popullin e Kosovës.
Ai theksoi se në periudhën e errët të represionit dhe shtypjes, ata e kuptuan se misioni i tyre nuk mund të kufizohej vetëm në shërbesën fetare, por kërkonte përgjegjësi morale, guxim qytetar dhe angazhim aktiv për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, të drejtës dhe lirisë.
Sipas kryeministrit, Imzot Nikë Prela dhe Imzot Mark Sopi u shndërruan në ura lidhëse mes shpirtërores dhe qytetares, mes besimit fetar dhe përgjegjësisë shoqërore e shtetërore, duke luajtur një rol të rëndësishëm në ndërgjegjësimin kombëtar dhe lidhjen e Kosovës me botën demokratike.
Kurti vlerësoi se liria dhe pavarësia e sotme e Kosovës, përveç proceseve politike dhe diplomatike, janë edhe fryt i qëndresës morale të figurave që në rrethana të rrezikshme refuzuan ta pranojnë padrejtësinë si normalitet.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin e tij personal, kryeministri Kurti shprehu mirënjohje të thellë për veprën dhe trashëgiminë e Imzot Nikë Prelës dhe Imzot Mark Sopit, duke theksuar se kjo trashëgimi mbetet udhërrëfyes për shoqërinë dhe brezat e ardhshëm.