Komisioni për Siguri nuk e ka përkrahur kërkesën e deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, që drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, të raportojë në fund të tetorit lidhur me reagimin policor gjatë protestës së 5 tetorit.
Gjatë diskutimeve në komision, Musliu kërkoi që drejtori i Policisë të japë llogari para deputetëve për veprimet e zyrtarëve policorë gjatë protestës, ku u kërkua miratimi i ligjit për Specialen.
Ajo vlerësoi se reagimi policor ishte joprofesional dhe joproporcional, duke thënë se ka pranuar ankesa nga qytetarët dhe se disa prej tyre kanë siguruar edhe raporte mjekësore.
“Në fund të muajit tetor, në javën e fundit të këtij muaji duhet të ftohet komandanti i Policisë dhe të na raportojë për protestën e 5 tetorit. Skenat që i kemi parë janë joprofesionale, joproporcionale me protestën. Kemi shumë ankesa prej qytetarëve dhe raporte mjekësore që kanë marrë qytetarët për atë ditë”, deklaroi Musliu.
Kërkesa e saj u kundërshtua nga deputeti i LVV-së, Sali Zyba, i cili tha se raportimi duhet të bëhet pasi të përfundojnë hetimet dhe të jenë në dispozicion të dhënat zyrtare për rastin.
“Për sa është procesi i hetimeve, me ardhë me të raportu në fazën e hetimeve dhe analizës është herët. Në momentin kur të dhënat janë zyrtare, më pas raportimi ndodh. Me kërku raportim tash, çfarë kuptimi ka me pritë një rezultat të gjeturave, nëse ka?”, tha Zyba.
Edhe deputeti tjetër i LVV-së, Ilir Qeriqi, u shpreh kundër kërkesës për raportim të menjëhershëm, duke argumentuar se institucionet përgjegjëse duhet të lejohen t'i përfundojnë hetimet pa ndërhyrje.
“A raportojnë më herët apo më vonë, nuk e ndihmon apo përkeqëson atë se çka ka ndodhur. Pikërisht për atë që po thotë Ganja, me qenë të paanshëm dhe profesionalë, ne nuk duhet të ndikojmë dhe të ndërhyjmë në këtë proces. Le t’ia lëmë organeve të hetimit dhe pastaj vijnë të raportojnë”, deklaroi Qeriqi.
Qëndrimet e deputetëve shkaktuan debat në komision, ndërsa Musliu insistoi se kërkesa për raportim nuk përbën ndërhyrje në hetime, por është pjesë e përgjegjësisë së deputetëve për të mbikëqyrur institucionet e sigurisë.
“Kërkesa për përgjegjësi dhe kontroll demokratik të këtij institucioni është obligim i këtij komisioni dhe nuk është as ndërhyrje dhe as tendencë për të ndikuar. Kësaj radhe po e lë me kaq, duke qenë se jeni për herë të parë deputetë në Kuvend dhe keni me u ambientu me punën dhe përgjegjësitë që i ka ky komision”, theksoi ajo.
Pas deklaratës së Musliut, Qeriqi reagoi duke vënë në pikëpyetje njohuritë e saj për procedurat dhe strukturën e Policisë.
“Nuk është ndonjë arritje me qenë në komision, nuk ke bërë ndonjë edukim përkatës. Ndoshta unë e kam bërë edhe edukimin përkatës. Unë i di më mirë procedurat dhe çka është kontrolli demokratik. Më mirë se ti e di si bëhet hierarkia e Policisë. Nuk e kupton strukturën. A e the, sipas strukturës, me raportu më herët?”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Komisioni për Siguri miratoi planin e punës për sesionin vjeshtor, në të cilin është paraparë që institucionet kryesore të sigurisë të raportojnë gjatë muajit dhjetor.
Në të njëjtën mbledhje, anëtarët e komisionit miratuan edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026. /rtk

