KORREKT / SOT13 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Shtyhet seanca ndaj Xhevat Krasniqit, munguan prokurori dhe e dëmtuara

Shtyhet seanca ndaj Xhevat Krasniqit, munguan prokurori dhe e dëmtuara

Seanca gjyqësore ndaj ish-profesorit të Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi, i akuzuar për ngacmim seksual ndaj studenteve të Fakultetit të Mjekësisë, është shtyrë për 24 dhjetor, në orën 09:30.

Gjykatësi Bujar Ahmeti ka bërë të ditur se në seancë nuk ishin të pranishëm prokurori i Shtetit dhe e dëmtuara, Donika Veseli.

Ai ka thënë se mungesa e prokurorit nuk ishte arsyetuar dhe se, në mungesë të tyre, nuk ishin plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës.

“Mungon prokurori i Shtetit… mungesën nuk e ka arsyetuar. Mungon e dëmtuara Donika Veseli… Në mungesë të prokurorit dhe të dëmtuarës, nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës. Seanca e radhës caktohet për datën 24 dhjetor, 09:30”, tha ai.

Kjo ishte seanca e parë e shqyrtimit gjyqësor pas shtyrjes së nëntë seancave të planifikuara më herët gjatë muajve shtator dhe tetor, të cilat ishin shtyrë për shkak të kërkesave të disa palëve në procedurë.

Xhevat Krasniqi ishte denoncuar nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual.

Sipas Prokurorisë së Prishtinës, ngacmimet e pretenduara kanë ndodhur nga janari i vitit 2022 deri në dhjetor të vitit 2023, në objektin e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.

Prokuroria pretendon se profesori Krasniqi është përfshirë në sjellje joverbale joetike të natyrës së ngacmimit seksual, me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër. Në aktakuzë, Prokuroria ka vënë në pah edhe pozitën e të akuzuarit si profesor universitar dhe autoritetin që kishte mbi të dëmtuarat.

Në aktakuzë janë listuar katër të dëmtuara.

Krasniqi ishte pezulluar nga puna për gjashtë muaj më 23 prill 2024, me vendim të ish-rektorit të UP-së, Qerim Qerimi. Pas përfundimit të kësaj periudhe, më 23 tetor 2024, rektori aktual, Arben Hajrullahu, mori vendim për vazhdimin e pezullimit të tij deri në përfundimin e hetimeve nga Prokuroria.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.