Pavarësisht bllokadës institucionale dhe mungesës së punës së rregullt parlamentare për një pjesë të madhe të vitit 2025, Kuvendi i Kosovës ka vazhduar të shpenzojë miliona euro nga buxheti i shtetit. Vetëm për stafin mbështetës politik, sipas të dhënave të publikuara, shpenzimet për paga dhe kategori të tjera arrijnë në mbi 1.2 milionë euro.
Gjatë vitit të kaluar, kuvendi u përball me një ngërç të gjatë politik. Nga 15 prilli deri më 26 korrik u mbajtën 54 vazhdime të seancës konstituive, pa arritur për një kohë të gjatë të përmbyllej procesi i konstituimit të institucionit. Për rrjedhojë, puna e rregullt parlamentare mbeti e bllokuar për muaj të tërë.
Megjithatë, shpenzimet për stafin mbështetës politik vazhduan. Përveç pagave, nga buxheti i kuvendit janë mbuluar edhe shpenzime të telefonisë mobile, udhëtimeve zyrtare, transportit dhe akomodimit.
Në mesin e personave për të cilët janë evidentuar shpenzime të akomodimit dhe shpenzime të tjera gjatë udhëtimeve zyrtare janë Naim Bunjaku dhe Berita Abazi-Muhadri.
Ndërkaq, sipas të dhënave të publikuara, shpenzimet e udhëtimit drejt Koresë së Jugut janë mbuluar nga buxheti i shtetit për Donika Sallovën dhe Kreshnik Gegën.
Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se për bileta transporti janë shpenzuar mbi 2 mijë e 500 euro, ndërsa për shpenzime gjatë udhëtimeve zyrtare mbi 1 mijë e 200 euro.
Po ashtu, për mbushje të telefonisë mobile në rrjetin “Vala” janë shpenzuar mbi 2 mijë e 500 euro.
Këto shpenzime ngrejnë pikëpyetje për mënyrën e përdorimit të parasë publike në një periudhë kur Kuvendi për muaj të tërë nuk arriti të zhvillonte aktivitet të rregullt parlamentar.

