KORREKT / SOT13 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Ligji për Specialen sot në Kuvend: A do ta votojë VV-ja? (VIDEO)

Ligji për Specialen sot në Kuvend: A do ta votojë VV-ja? (VIDEO)

Në emisionin e mëngjesit “Ora Shtatë” në Klan Kosova u diskutua për ligjin e Gjykatës Speciale, i cili pritet të hidhet në votim sot, gjatë seancës së Kuvendit të thirrur për orën 11:00.

Ligji pritet të votohet pa asnjë ndryshim në përmbajtjen e tij, ndërsa kjo çështje ka nxitur diskutime dhe qëndrime të ndryshme mes analistëve.

Gazetari Vullnet Krasniqi tha se nuk e kupton insistimin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që ligji të kalojë, duke vlerësuar se një gjë e tillë nuk do të mund të vazhdojë tutje.

“Unë nuk e kuptoj çfarë duhet të ndryshojë tani. Nuk e kuptoj këtë insistim të PDK-së për të arritur deri te qëllimi që ky ligj të bëhet, por nuk do të vazhdojë tutje. Mungesa e reagimit të Amerikës nuk do të thotë se ka mungesë totale të interesimit nga ana e saj”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, analisti Arton Muhaxheri u shpreh se nuk është i sigurt nëse Lëvizja Vetëvendosje (VV) do ta votojë sërish të njëjtin ligj.

Ai i vlerësoi si pozitive reagimet e Bashkimit Evropian, duke theksuar se ky i fundit ka shprehur interesim për të marrë pjesë në procesin e plotësim-ndryshimit të ligjit.

“Duke u bazuar në deklaratat e VV-së, nuk kanë qëndrim të prerë nëse do ta votojnë apo jo. Arbërie Nagavci ka thënë se do ta votojnë, por ka edhe eksponentë të tjerë që po thonë se nuk duhet bërë. Ju e dini se para se të diskutohej dhe të votohej, reagimet e BE-së nuk kanë qenë të pranishme, por tani ka ndryshuar situata, pasi po kërkojnë të marrin pjesë në hartimin e ligjit. Besoj se efektin ligji e ka dhënë dhe pritet ta japë edhe në rrafshin juridik”, deklaroi Muhaxheri.

Një këndvështrim tjetër paraqiti gazetari Besian Beha, i cili tha se vetë ligji dëshmon se me sa pak seriozitet është trajtuar çështja e Gjykatës Speciale nga partitë politike.

Sipas tij, PDK-ja po kërkon që ligji të kalojë sërish në formën aktuale, pasi më herët kishte kërkuar plotësim-ndryshimin e tij brenda katër javësh, siç parashihet me Rregulloren, ndërsa VV-ja kishte mbajtur qëndrimin se një ligj nuk mund të ndryshohet pasi të kthehet nga presidentja.

“Këtu partitë nuk janë pajtuar. Për mua, kjo nuk është e pranueshme dhe ky ligj e dëshmon se sa me lehtësi e kanë marrë partitë politike këtë proces dhe vetë PDK-ja që e ka bërë këtë ligj”, tha Beha.

Diskutimin e plotë nga emisioni “Ora Shtatë” mund ta ndiqni në videon e mëposhtme.

Hap videon në burimin e saj ↗

Ndiq zhvillimet e kësaj ngjarjeje ↗

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.