KORREKT / SOT12 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Si dyshohet se ndodhi shpërthimi në FSK, cilat janë rreziqet dhe çfarë duhet të bëj shteti? Flet eksperti Drizan Shala për lajmi.net

Si dyshohet se ndodhi shpërthimi në FSK, cilat janë rreziqet dhe çfarë duhet të bëj shteti? Flet eksperti Drizan Shala për lajmi.net

Një incident i rëndë ka ndodhur ditë më parë në një poligonin e FSK-së në Babaj të Bokës

Një ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjatë trajnimeve me municione është lënduar pasi dyshohet se një municion 40 milimetërsh kishte shpërthyer brenda granatahedhësit MK-19. 

Këtë dje e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i FSK-së, Vëllazërim Qerimi i cili ka thënë se pjesëtari i FSK-së është lënduar lehtë.

“Forca e Sigurisë së Kosovës gjatë realizimit të trajnimeve me municione ballafaqohet me rrezikshmëri të lartë dhe merr paraprakisht të gjitha masat e nevojshme parandaluese për menaxhimin e rrezikut, duke përfshirë pajisjet individuale dhe kolektive për mbrojtjen e personelit. Po ashtu, në secilin aktivitet të FSK-së, konform procedurave standarde në fuqi i bashkëngjiten ekipet mjekësore për evakuim mjekësor potencial. Të gjitha masat e sigurisë janë në linjë me standardet e sigurisë të FSK-së, njëjtë sikur ato të NATO-s”, ka thënë Qerimi. 

Ai ka thënë se FSK është e vetëdijshme që profesioni ushtarak përbën në vete një rrezikshmëri të lartë, në përmbushje të misionit kushtetues dhe ligjor, megjithatë ka thënë se në relacion me nivelin e aktiviteteve, numri i aksidenteve mbetet i vogël për shkak të masave të sigurisë në menaxhimin e rrrezikut.

“FSK mbetet e përkushtuar që vazhdimisht të rrisë sigurinë dhe garantojë ruajtjen e personelit”, ka shtuar Qerimi..

Në lidhje me këtë temë, për lajmi.net ka folur eksperti i sigurisë Drizan Shala.

Ai ka thënë se në këtë fazë do të ishte e parakohshme që këto raste të cilësohen si incidente të izoluara, ende pa përfunduar hetimet dhe pa u analizuar rrethanat teknike të secilit rast.

“Një incident gjatë përdorimit të armëve mund të jetë aksidental, por kur kemi raportime për më shumë se një rast brenda institucioneve të sigurisë, atëherë kemi arsye të kërkojmë një vlerësim më të gjerë të procedurave të sigurisë. Duhet të shqyrtohet nëse kemi të bëjmë me gabim individual, problem teknik të armatimit, defekt të municionit apo mangësi në procedurat e kontrollit dhe mbikëqyrjes së trajnimeve. Pra, shqetësimi nuk duhet të jetë vetëm incidenti në vetvete, por mundësia e ekzistimit të një problemi sistemik”, ka thënë Shala.

Në lidhje me shkaqet teknike që kanë shkaktuar këtë incident, Shala ka përmendur disa faktorë që ka thënë se mund të shkaktojnë shpërthimin e municionit brenda armës ose funksionimin jo të rregullt të saj.

“Ndër faktorët që duhet të verifikohen janë:

  • Defektet gjatë procesit të prodhimit të municionit.
  • Ruajtja jo e përshtatshme dhe ekspozimi ndaj temperaturës ose lagështisë.
  • Dëmtimi fizik apo degradimi i municionit gjatë transportit dhe magazinimit.
  • Mospërputhja teknike ndërmjet municionit dhe sistemit të armatimit.
  • Konsumimi, dëmtimi ose mirëmbajtja jo e duhur e armës.
  • Gabimet gjatë kontrollit teknik dhe procedurave të përgatitjes para trajnimit”, ka thënë Shala për lajmi.net.

Ai ka shtuar se në rastet kur municioni shpërthen brenda mekanizmit të armës, ekspertiza duhet të përcaktojë nëse shkaku lidhet me municionin, armën apo ndërveprimin mes tyre. Sipas tij, asnjëra nga këto mundësi nuk duhet të konsiderohet si shkak i konfirmuar pa prova laboratorike dhe ekspertizë balistike.

Në rast se ekziston dyshimi për defekt teknik, Shala ka thënë se duhet të pezullohet përdorimi i një lloji të caktuar të municionit apo armatimit deri në përfundimin e hetimeve.

“Nëse ekziston dyshim i arsyeshëm për defekt teknik të një serie të caktuar të municionit apo të një sistemi armatimi, duhet të zbatohet masa parandaluese e pezullimit të përkohshëm të përdorimit të atij loti ose sistemi, deri në përfundimin e verifikimeve teknike. Kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se i gjithë armatimi i institucionit duhet të nxirret jashtë përdorimit. Masa duhet të jetë proporcionale dhe e bazuar në vlerësimin e rrezikut.Në këtë drejtim, duhet të identifikohen lotet e municionit, origjina, dokumentacioni i pranimit, kushtet e magazinimit dhe historiku i përdorimit të tyre. Gjithashtu, mostrat e municionit dhe pjesët përkatëse të armës duhet të ruhen si prova për ekspertizë. Parimi themelor duhet të jetë: asnjë trajnim nuk mund të justifikojë ekspozimin e personelit ndaj një rreziku teknik të paqartësuar”, ka shktuar Shala për lajmi.net.

Që rastet e rrezikshme si ky që ka ndodhur të mos përsëritet, ai ka thënë se institucionet duhet të ndërmarrin një sërë masash konkrete.

“Së pari, të realizohet një auditim i jashtëzakonshëm teknik i armatimit dhe municionit, me fokus të veçantë te lotet që dyshohet se kanë shkaktuar incidente.

Së dyti, të bëhet kontrolli i zinxhirit të furnizimit, nga prodhuesi dhe pranimi i municionit deri te magazinimi, transportimi dhe përdorimi i tij.

Së treti, të forcohen procedurat e inspektimit teknik para çdo aktiviteti stërvitor, si dhe dokumentimi i plotë i çdo defekti apo anomalie të evidentuar.

Së katërti, të krijohet një mekanizëm i përbashkët i hetimit teknik, ku të përfshihen ekspertët e armatimit, specialistët e municionit, organet hetimore dhe institucionet përgjegjëse për sigurinë.

Së pesti, duhet të realizohen analiza të incidenteve të mëparshme, në mënyrë që të identifikohet nëse ekziston ndonjë model i përsëritur i dështimit teknik”, ka shtuar Shala.

Për lajmi.net, ai ka thënë se pas raportimit të këtyre incidenteve ku po shpërthejnë armët apo municionet, duhet të kemi shqetësim profesional dhe institucional por jo të krijojmë panik.

“FSK-ja dhe Policia e Kosovës janë institucione që kryejnë aktivitete me rrezikshmëri të lartë, prandaj siguria e personelit duhet të jetë prioritet në çdo nivel të komandimit dhe menaxhimit. Ajo që duhet të kuptohet është se trajnimi është procesi përmes të cilit ndërtohet profesionalizmi operacional, por në të njëjtën kohë ai duhet të garantojë mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të pjesëtarëve. Nëse gjatë trajnimeve evidentohen incidente të përsëritura, institucionet duhet të tregojnë transparencë për masat e ndërmarra, të kryejnë hetime të paanshme dhe të sigurojnë që çdo mangësi teknike apo procedurale të adresohet”, ka shtuar Shala.

Trajnimet ushtarake me municion të vërtetë konsiderohen ndër aktivitetet me rrezikshmëri të lartë, ndaj kërkojnë zbatim të rreptë të procedurave të sigurisë, kontroll të vazhdueshëm teknik të armatimit dhe municionit, si dhe mbikëqyrje profesionale. Në raste të tilla, krahas hetimit të rrethanave të incidentit, rëndësi të veçantë ka identifikimi i shkaqeve dhe marrja e masave për të parandaluar përsëritjen e tyre. /Lajmi.net/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.