Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takimin e parë me homologun e tij hungarez, Péter Magyar, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kurti përmes një postimi në Facebook, ku ka njoftuar se në takim është diskutuar për mundësinë e thellimit të marrëdhënieve dhe zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë.
Kurti ka bërë të ditur se të dy kryeministrat kanë shprehur interesim për një intensitet të ri në marrëdhëniet dypalëshe, veçanërisht në fushën e arsimit dhe ekonomisë.
“Jemi të interesuar për një intensitet të ri në marrëdhëniet dypalëshe, duke zgjeruar e thelluar bashkëpunimin në një sërë sferash, nga arsimi tek ekonomia”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e Hungarisë në kuadër të KFOR-it, duke vlerësuar kontributin e saj me trupa për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon.
Më tej, ai ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me Budapestin në rrugën euro-atlantike të Kosovës.
“Hungaria është një nga kontribuueset më të mëdha me trupa në kuadër të KFOR-it dhe ka rol të rëndësishëm për paqen dhe sigurinë rajonale. Sa më e integruar dhe më e fortë institucionalisht të jetë Republika jonë aq më stabile e më prosperuese do të jetë e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor dhe Budapesti është një nga qendrat e rëndësishme në rrugën euro-atlantike të Kosovës”, ka deklaruar ai.

