Drake është sot një prej emrave më të njohur dhe më të suksesshëm të muzikës botërore, me miliona fansa në mbarë botën, rekorde të shumta dhe një ndikim që shtrihet përtej muzikës.
Megjithatë, rrugëtimi i tij drejt famës nuk nisi në studiot muzikore apo në skenat e mëdha, por në Toronto të Kanadasë, ku kaloi një fëmijëri që ndikoi dukshëm në formimin e tij si artist.
I lindur më 24 tetor 1986, me emrin Aubrey Drake Graham, ai u rrit në një familje me prejardhje të ndryshme kulturore.
Drake
Babai i tij, Dennis Graham, ishte muzikant me origjinë afrikano-amerikane nga Memphisi i Tennessees, ndërsa nëna, Sandi Graham, është kanadeze me prejardhje hebraike.
Prindërit e tij u ndanë kur ai ishte vetëm pesë vjeç, teksa Drake u rrit kryesisht me të ëmën në Toronto.
Fëmijëria e tij nuk ishte gjithmonë e lehtë.
Drake
Në intervista të ndryshme, reperi ka folur për vështirësitë financiare të familjes dhe për përpjekjet e nënës së tij për t’i siguruar një jetë sa më të mirë.
Ai ka përmendur gjithashtu se ndiente dallimet kulturore dhe se shpesh nuk e gjente veten plotësisht në asnjërën prej botëve nga vinte familja e tij.
Përpara se të bëhej një yll ndërkombëtar i hip-hopit, Drake provoi veten në aktrim.
Në moshën 15-vjeçare u përzgjodh për serialin kanadez “Degrassi: The Next Generation”, ku interpretoi Jimmy Brooks, një personazh që mbeti pjesë e serialit për disa sezone.
Drake
Pikërisht ky rol e bëri të njohur për publikun kanadez dhe i siguroi të ardhurat e para nga karriera artistike.
Megjithatë, ambicia e tij ishte muzika.
Në vitin 2006 nisi të publikonte projektet e para muzikore në mënyrë të pavarur, ndërsa në vitin 2009 publikoi mixtape-in “So Far Gone”, i cili shënoi kthesën vendimtare në karrierë.
Projekti mori vlerësime të shumta dhe tërhoqi vëmendjen e reperit Lil Wayne, i cili e afroi me kompaninë e tij muzikore ‘Young Money Entertainment’.
Në vitin 2010, Drake publikoi albumin e parë në studio, “Thank Me Later”, i cili debutoi në vendin e parë të Billboard 200.
Drake
Suksesi u vazhdua me albumin “Take Care”, për të cilin fitoi edhe çmimin e tij të parë Grammy në kategorinë e albumit më të mirë rap.
Më pas erdhën projekte si “Nothing Was the Same”, “Views”, “Scorpion” dhe “Certified Lover Boy”, duke e konsoliduar pozicionin e tij në industrinë muzikore.
Këngë si “God’s Plan”, “One Dance”, “Hotline Bling”, “In My Feelings” dhe “Started From the Bottom” u kthyen në hite ndërkombëtare, gjersa bashkëpunimet me emra të njohur të muzikës e zgjeruan edhe më shumë ndikimin e tij.
Drake ka fituar pesë çmime Grammy dhe ka vendosur rekorde të shumta në platformat muzikore dhe listat e Billboard-it.
Suksesi i tij nuk është kufizuar vetëm te muzika.
– YouTube www.youtube.com
Ai ka krijuar markën OVO, e cila përfshin veshje dhe projekte të ndryshme biznesi, është përfshirë edhe në aktivitete sportive dhe sipërmarrje të tjera.
Me kalimin e viteve, Drake ka ndërtuar një imazh të dallueshëm, ku muzika, moda, bizhuteritë luksoze dhe referencat kulturore janë bërë pjesë e pandashme e identitetit të tij publik.
Por, përtej jetës dhe karrierës së tij, emri i Drake ka marrë së fundmi vëmendje edhe në mesin e publikut shqiptar, për shkak të disa referencave që ka bërë ndaj Kosovës dhe simbolikës kombëtare shqiptare.
Një prej momenteve që u komentua më së shumti ishte kënga “Polar Opposites”, e publikuar në vitin 2023 si pjesë e albumit “For All the Dogs”.
– YouTube www.youtube.com
Në tekstin e saj, reperi përmend Prishtinën, duke përdorur një referencë të papritur për kryeqytetin e Kosovës.
Ky varg u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale dhe ngjalli kureshtje te fansat shqiptarë, të cilët nisën të diskutonin për arsyen që e kishte shtyrë artistin ta përmendte qytetin.
Interesimi u shtua edhe më shumë nga videoklipi i kësaj kënge, ku Drake shfaqej me një xhaketë të zezë me shqiponjën dykrenare në shpinë.
Simboli shqiptar ishte pjesë e estetikës vizuale të projektit, ndërsa në videoklip shfaqeshin edhe pamje të një shqiponje duke fluturuar mbi det.
Një tjetër element që e bëri këtë histori edhe më interesante ishte përfshirja e shqiptarit Gentuar Memishi në ekipin e autorëve të këngës.
Ai kontribuoi në shkrimin e “Polar Opposites”, si dhe në dy këngë të tjera të albumit, duke krijuar një tjetër urë lidhëse mes projektit të reperit dhe shqiptarëve.
Por duket se simbolika shqiptare nuk mbeti vetëm në atë videoklip.
Drake
Në projektin e ri “Ya Hit”, Drake është shfaqur sërish me shqiponjën dykrenare, këtë herë në formën e një varëseje gjigante të mbuluar me diamante.
Bizhuteria luksoze, e realizuar nga argjendari Alex Moss, është bërë një prej detajeve më të komentuara të videoklipit.
Edhe pse vlera e saktë e varëses nuk është bërë publike, pamja dhe punimi i saj kanë nxitur diskutime për çmimin që mund të ketë arritur.
Drake
Për publikun shqiptar, megjithatë, vëmendja nuk lidhet vetëm me luksin e bizhuterisë, por kryesisht me faktin se Drake po e rikthen sërish në skenë simbolin kombëtar shqiptar.
Deri më tani, reperi nuk ka dhënë ndonjë shpjegim të drejtpërdrejtë për përdorimin e shqiponjës dhe as nuk ka konfirmuar ndonjë lidhje familjare apo prejardhje shqiptare.
Për këtë arsye, mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një interesim personal ndaj kulturës shqiptare, për ndikimin e bashkëpunëtorëve të tij apo thjesht për një zgjedhje artistike dhe vizuale.
Drake
Sidoqoftë, fakti që Prishtina është përmendur në një këngë të tij dhe se shqiponja dykrenare është shfaqur në më shumë se një videoklip, ka bërë që Drake të krijojë një lidhje të veçantë me publikun shqiptar, edhe pa pasur ndonjë deklaratë konkrete për këtë raport.
Dhe duket se çdo projekt i ri i tij që përmban këtë simbol do të vazhdojë të ngjallë kureshtje në mesin e fansave shqiptarë. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com

