Luis Diaz i Bayern Munichut është objektivi kryesor i Paris Saint-Germainit për afatin kalimtar të janarit, sipas mediumit kolumbian Areacucuta.
Pas lëndimit të Khvicha Kvaratskhelias, klubi francez ka kthyer vëmendjen te sulmuesi i Bayern Munichut, duke kërkuar me urgjencë një zëvendësues të nivelit të lartë. Gjeorgjiani pësoi këputje të ligamentit disa javë më parë në ndeshjen ndaj Barcelonës. Ekzaminimet mjekësore kanë konfirmuar se ai do të jetë jashtë fushave për të paktën gjashtë muaj.
PSG synon të transferojë një futbollist të ri që në afatin kalimtar të dimrit. Sipas raportimit, drejtuesit e klubit e konsiderojnë Diazin kandidatin ideal për ta mbushur boshllëkun e madh të krijuar nga lëndimi i Kvaratskhelias.
Madje, edhe një çmim jashtëzakonisht i lartë i kërkuar nga Bayerni për transferimin e kolumbianit do të ishte brenda mundësive financiare të parisienëve.
Megjithatë, largimi i Diazit nga Munichu në janar duket shumë pak i mundshëm. Ai është një lojtar kyç në planet e trajnerit Vincent Kompany dhe pritet të jetë titullar në pothuajse çdo ndeshje të rëndësishme. Shitja e tij do t’i krijonte Bayernit një problem të ri në skuadër.
Burime pranë futbollistit, të cituara nga Areacucuta, bëjnë të ditur se Diaz ndihet më se i kënaqur te Bayerni dhe nuk ka aspak ndërmend të largohet para kohe nga kampionët rekord të Gjermanisë.
Aktualisht i lënduar, kolumbiani është i përqendruar te rikuperimi, në mënyrë që të rikthehet sa më shpejt në fushë dhe të vazhdojë të tregojë nivelin e tij më të mirë.
Diaz ka kontratë me Bayern Munichun deri në fund të qershorit të vitit 2029. Që nga transferimi në Gjermani në verën e vitit 2025, ai është shndërruar në një futbollist të rregullt nën drejtimin e Kompanyt.
Në 62 paraqitje në të gjitha garat me fanellën e Bayernit, kolumbiani ka kontribuar me 31 gola dhe 24 asistime./Telegrafi/

