Mediumi i njohur ndërkombëtar Goal.com i ka kushtuar një artikull të gjatë konkurrencës mes federatave të futbollit për sigurimin e shërbimeve të futbollistëve me prejardhje të ndryshme, duke veçuar edhe Kosovën si një prej vendeve që po punon aktivisht për rekrutimin e talenteve që jetojnë dhe zhvillohen në Gjermani.
Në artikullin e publikuar të mërkurën, Goal.com thekson se Gjermania është shndërruar në një pikë të nxehtë të konkurrencës mes federatave nacionale, pasi shumë futbollistë të rinj me shtetësi të dyfishtë kanë mundësinë të zgjedhin për cilën përfaqësuese dëshirojnë të luajnë, shkruan Indeksonline
Në këtë garë është përfshirë edhe Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), e cila, sipas Goal.com, organizon rregullisht kampe vëzhguese të talenteve në afërsi të Frankfurtit, me synimin për të identifikuar futbollistë të rinj me prejardhje kosovare që jetojnë në Gjermani.
Një prej shembujve konkretë të kësaj strategjie është Erblin Osmani, mesfushori 17-vjeçar i lindur në Mynih, i cili është zhvilluar në akademinë e Bayern Munichut.
Osmani, i cili më parë kishte përfaqësuar grupmoshat e Gjermanisë, vendosi të kalojë te Kosova. Sipas Goal.com, përzgjedhësi Franco Foda luajti rol të rëndësishëm në bindjen e tij për ta përfaqësuar vendin e prejardhjes.
Madje, në shtator, Osmani debutoi me përfaqësuesen A të Kosovës, duke u bërë futbollisti më i ri në historinë e saj.
Goal.com vlerëson se Kosova është ndër federatat që po përpiqen të krijojnë lidhje të hershme me futbollistët e rinj që kanë dy shtetësi, duke mos pritur deri në momentin kur ata të bëhen emra të njohur në futbollin profesionist.
Artikulli nënvizon se kjo garë nuk zhvillohet vetëm në fushën e futbollit, por edhe përmes kontakteve të drejtpërdrejta me lojtarët dhe familjet e tyre, kampeve vëzhguese dhe krijimit të një lidhjeje emocionale me vendin që mund të përfaqësojnë në të ardhmen.
Për Kosovën, një strategji e tillë mund të jetë veçanërisht e rëndësishme, duke pasur parasysh numrin e madh të futbollistëve me prejardhje shqiptare që janë rritur dhe po zhvillohen në akademitë e futbollit në Gjermani./Indeksonline/

