Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Ardian Ismajli, ka folur në konferencë për media në prag të ndeshjes ndaj Finlandës, e cila zhvillohet nesër në stadiumin “Air Albania”, me fillim nga ora 20:45.
Ismajli ka theksuar rëndësinë e kësaj përballjeje, duke thënë se Shqipëria ka cilësi për të përfunduar në vendin e parë të grupit, por këtë duhet ta dëshmojë në fushë, shkruan Indeksonline
“Jemi përgatitur jashtëzakonisht mirë. E dimë rëndësinë. E kemi obligim për vendin e parë. Jemi ekip më kualitativ se të gjithë në grupin tonë, por duhet ta dëshmojmë në fushë”, u shpreh Ismajli.
Ai është ndalur edhe te ndeshja e parë ndaj Finlandës, duke kujtuar se, sipas tij, Shqipëria kishte zhvilluar një paraqitje shumë të mirë, por kartoni i kuq dhe episodet e ndeshjes ndikuan në rezultat.
“Besoj që, hiq kartonin e kuq, kemi bërë ndeshjen ndoshta më të mirë në vitet e fundit. Episodet e bëjnë të veten dhe me atë episod, ndeshja iku si iku”, tha mbrojtësi.
Ismajli ka vlerësuar edhe përkrahjen e tifozëve shqiptarë në “Air Albania”, duke i cilësuar ata si një forcë shtesë për skuadrën.
“Pika jonë e fortë është ‘Air Albania’. Edhe kur rezultati nuk është ai që dëshirojmë, tifozët gjithmonë na përkrahin. T’i bëjmë krenarë, të japim shpirtin në fushë dhe e rëndësishme është rezultati”, deklaroi ai.
Mbrojtësi ka folur gjithashtu për ndryshimet taktike nën drejtimin e trajnerit aktual, duke vlerësuar lojën më aktive dhe presingun më të lartë.
“Futboll modern quhet me luajt si trajneri që është tani, Maran. Na ndihmon më shumë nëse ikim në presing sipër. Mund ta kapim kundërshtarin që mund të bëjë gabime”, u shpreh Ismajli.
Shqipëria synon të marrë rezultat pozitiv ndaj Finlandës për të vazhduar rrugën drejt objektivit të saj në Ligën e Kombeve./Indeksonline/

