Dirk Kuyt është larguar nga Fenerbahçe të mërkurën, vetëm një javë pasi e udhëhoqi ekipin si trajner i përkohshëm drejt fitores 3-2 ndaj ish-klubit të tij, Liverpoolit, në Ligën e Kampionëve.
Ish-sulmuesi i Kombëtares së Holandës ishte në krye të skuadrës në atë fitore në Stamboll, ndonëse klubi tashmë kishte arritur marrëveshje me Emre Belozoglu për ta marrë drejtimin e ekipit, raporton AP, transmeton Klankosova.tv.
Kuyt ishte rikthyer te Fenerbahçe në korrik, klub ku kishte luajtur nga viti 2012 deri më 2015, për të qenë ndihmës i trajnerit Ismail Kartal, i cili dha dorëheqje muajin e kaluar.
“Ju falënderojmë nga thellësia e zemrës për gjithçka që keni kontribuar për këto ngjyra. Sot ju themi lamtumirë, por vendi juaj në këtë familje të madhe nuk do të ndryshojë kurrë”, thuhet në njoftimin e Fenerbahçes në rrjetet sociale, përmes të cilit u bë i ditur largimi i Kuyt.
Belozoglu, ish-kapiten i klubit, merr drejtimin e një skuadre që aktualisht renditet në vendin e gjashtë në kampionatin turk dhe në pozitën e 19-të në renditjen e përgjithshme të Ligës së Kampionëve, ku garojnë 36 ekipe.
Ndeshjen e radhës në Ligën e Kampionëve, Fenerbahçe do ta zhvillojë kundër Shakhtar Donetskut në Londër, më 25 nëntor. /Klankosova.tv

