Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Liza Gashi, ka vlerësuar se Kosova ka shënuar suksese dhe përparim në rrugëtimin drejt integrimit evropian, pavarësisht kritikave dhe vlerësimeve të përfshira në raportin e sivjetmë të Bashkimit Evropian.
Duke folur në emër të Grupit Parlamentar të LVV-së në debatin parlamentar për Raportin e Progresit, Gashi tha se ky diskutim është mundësi për të prezantuar arritjet e vendit.
“Për ne si grup parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, së bashku me aleatët tanë, ky debat parlamentar po ashtu është një mundësi e mirë për të prezantuar sukseset dhe përparimin e pamohueshëm të Republikës së Kosovës në rrugëtimin e Bashkimit Evropian”, tha Gashi.
Ajo theksoi se integrimi evropian mbetet orientim strategjik i Kosovës, ndërsa si një prej arritjeve përmendi liberalizimin e vizave, që hyri në fuqi në vitin 2024.
“Gjatë kësaj dekade, kemi përafruar legjislacionin me standardet evropiane, kemi zgjeruar marrëdhëniet tregtare, por mbi të gjitha, kemi liberalizuar vizat për vendin tonë”, deklaroi ajo.
Sipas Gashit, qytetarët e Kosovës tashmë mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen dhe më gjerë.
Deputetja u ndal edhe te procesi i integrimit evropian, duke kritikuar mosshqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Mosshqyrtimi i aplikimit të Kosovës nuk është vetëm vonesë për Kosovën, por në fakt është edhe një sfidë për besueshmërinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian”, u shpreh Gashi.
Ajo përmendi gjithashtu bllokadën institucionale si një nga faktorët që, sipas saj, kanë ndikuar në ngecjet e vendit në procesin e integrimit evropian.

