Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka folur sot në foltoren e Kuvendit të Kosovës në lidhje me Raportin e Progresit të Kosovës për vitin 2026.
Ajo ka thënë se Raporti i Progresit është dokument zyrtar i Komisionit Evropian që vlerëson çdo vit përparimin e vendeve që kanë qëllim të integrohen në BE, ndërsa ka thënë se kur ka dëgjuar fjalimin e deputetes së VV-së, Liza Gashit, ka pasur përshtypjen se po jetojmë në një botë paralele.
“Për 960 ditë, Kosova nën qeverisjen e VV-së, Kosova ka qenë nën masa ndëshkuese të BE-së. A e dini se cila është kostoja e këtyre masave dhe sot keni fytyrë të dilni në Kuvend dhe të na flisni për progresin në integrim evropian që Kosova ka bërë në qeverisjen e juaj? Një raporti GAP-it ka vlerësuar se kostoja financaira e masave ndëshkuese të BE-së ëshë 613 milionë euro, por ajo është më e madhe në secilën fushë”, ka thënë Bajrami.
Ajo ka thënë se ky raport nuk shënon asnjë progres në asnjë fushë.
“Raporti tregon që sipas raporteve të PISA-s, 80% të nxënësve tanë nuk kanë nivelet bazë të kompetencës në lexim matematikë dhe shkencë. Ne e dimë faktin që nuk po luftohet korrupsioni sepse i kemi 1213 kontrata njëburimore, i kemi 1400 aneks kontrata. 88% të tendereve fitohen në bazë të çmimit më të ulët dhe atij i shtohet një aneks kontratë. Çmimi i ulët shfrytëzohet vetëm si kriter për të favorizuar kompani të caktuara dhe mandej në fund të kontratës ne përfundojmë duke paguar çmimin më të lartë përmes aneks kontratave”, ka thënë Bajrami.
Ajo ka shtuar se raporti tregon se nuk po luftohet kurropsioni i nivelit të lartë.
“Vendi ynë ka qëndruar 5 vite pa kryeprokuror derisa ju keni vendosur njerëzit e juaj në mënyrë që të iu ndalohen hetimet personave që i keni pasur duke u hetuar nga Prokuroria”, ka thënë ajo.
Bajrami ka treguar se raporti ka treguar se pjesëmarrja e industrisë është zvogëluar ndërsa inflacioni në Kosovë është më i larti në Evropë pas Ukrainës dhe Turqisë.
“U lavdëruat për pagën minimale, në bazë të të dhënave të ASK-së, 40 mijë të punëtorëve në sektorin privat nuk e ka pagën minimale për shkak se Qeveria dështon në implementimin e vendimeve të veta. Si ndiheni ju sot para këtyre 40 mijë punëtorëve që nuk e kanë pagën minimale?”, ka pyetur Bajrami.
Për investime kapitale, Bajrami ka thënë se sipas raportit ka keqmenagjim dhe mungesë të transparencës.
“Ne i bimë rrugëve për Pejë, Gjilan, Gjakovë, Podujevë dhe i shohim që gjashtë vite projektet që i keni marrë të filluara e sot e kësaj dite nuk i keni përfundu. Keni thënë që jeni qeveri e trenave e digave, a e dini cilat janë shumat që i keni vendos në buxhetin 2027? 1.5 milionë euro për 400 milionë euro projekt të digave, 1.5 milionë euro për vitin 2027. A e dini sa i keni për hekurudha, diku 10-13 milionë euro dhe keni qindra projekte që buxhetin për vitin 2027 e kanë zero”, ka shtuar ajo.
Deputetja e LDK-së, ka përmendur pesë projekte që nuk janë realizuar për shkak të msave ndëshkuese.
“Ato janë:
- 152 milionë për trajtimin e ujërave dhe mbeturinave
- 44 milionë euro për trajtimin e mbeturinave në Prishtinë, Prizren, Gjakovë dhe Pejë.
- 49 milionë për rehabilitimin e rrjetit të KOSTT-it
- 20.95 milionë për menagjimin dhe reciklimin për Prishtinë, Dukagjin, Gjilan, prizren, Gjakovë dhe Mitrovicë
- 27.2 milionë euro për 500 fermerë”, ka thënë Bajrami.
Ajo ka thënë se disa nga këto fonde kanë humbur.
“Janë rreth 293 milionë euro që i përmenda, para këto, që në vitin 2024 na është dorëzuar nga përfaqësues të vendeve të QUINT-it te zyra e LDK-së. Dëmi është edhe te koha e humbur dhe inflacioni. Një projekt që para 3 viteve ka kushtuar 100 milionë euro, sot kushton 130 milionë euro. Mirëpo ka kosto tjetër, është koha e humbur për qytetarët e Kosovës. Unë nuk kërkoj asgjë më shumë se përgjegjësi dhe llogaridhënie, sepse unë pas këtyre gjashtë viteve të dështimit kolosal asnjë pritje nuk e kam sepse sot kërkoj që një nga një të dilni të merrni përgjegjësi. Sa i përket bllokadës institucionale, kush ishte personi dhe partia që e zhbllokoi Kosovën? Ishte Albin Kurti apo jo, VV? Pse nuk e bëri këtë në vitin 2025? Ju e keni përgjegjësinë dhe këtë duhet ta bartni ju”, ka shtuar Bajrami. /Lajmi.net/

