Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar Qeverinë Kurti për gjendjen në disa sektorë, duke u thirrur në gjetjet e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, të thirrur për diskutimin e këtij raporti, Lushaku-Sadriu tha se konstatimet për sektorët e energjisë dhe transportit kanë pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët, përfshirë rritjen e kostos së jetesës.
“Është fatale që ky raport edhe një herë e vërteton gjendjen alarmante në fushën e energjisë, në fushën e mosinvestimit të transportit dhe qasjes joserioze sa i përket përmirësimit, e krejt këto i kushtojnë qytetarëve tanë në koston e jetesës, e rrisin koston e jetesës për shkak të papërgjegjësisë së kësaj qeverie. Të gjitha këto ndikojnë edhe në shëndetin dhe mirëqenien e familjeve tona”, ka deklaruar ajo.
Në emër të LDK-së, Lushaku-Sadriu ka kërkuar që diskutimi parlamentar për Raportin e Progresit të mos përfundojë vetëm me debat, por të pasohet me kërkesa dhe masa konkrete ndaj Qeverisë.
Ajo ka propozuar që ekzekutivi të raportojë çdo tre muaj në Kuvend për zbatimin e rekomandimeve të raportit, si dhe që brenda 30 ditësh të dorëzojë një plan veprimi, ku do të përcaktohen masat konkrete dhe institucionet apo zyrtarët përgjegjës për zbatimin e tyre.
“Në emër të grupit parlamentar të LDK-së kërkoj që këtu të mos përfundojmë vetëm një diskutim, por të dalim me kërkesa konkrete për Qeverinë e Kosovës, e cila duhet t’i raportojë Kuvendit të Kosovës rregullisht, çdo tre muaj për realizimin e raportit të progresit dhe kërkesave që dalin nga ai dhe brenda 30 ditësh të na e paraqesë një plan veprimi me veprime konkrete se si duhet të përmbushen këto kritere”, ka thënë Lushaku-Sadriu.

