Numri i ndërmarrjeve aktive në Kosovë ka shënuar rënie gjatë vitit 2025, ndërsa paga mesatare bruto ka arritur në 658 euro.
Këto të dhëna janë bërë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në kuadër të rezultateve të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve (ASN) për vitin 2025.
Sipas raportit, në sektorët ekonomikë të përfshirë në anketë kanë qenë aktive 48 mijë e 506 ndërmarrje, që paraqet rënie prej 4 për qind krahasuar me vitin 2024.
Megjithatë, përkundër zvogëlimit të numrit të bizneseve, qarkullimi i tyre është rritur për 6,1 për qind, ndërsa shpenzimet janë shtuar për 6,6 për qind.
Një tjetër e dhënë që bie në sy është rritja e pagës mesatare bruto. Gjatë vitit 2025, ajo ka arritur në 658 euro, krahasuar me 354 euro sa ishte në vitin 2015.
Vetëm brenda një viti, paga mesatare bruto është rritur për 11,1 për qind.
Sipas ASK-së, pagat më të larta janë regjistruar në sektorin e furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, ndërsa pagat më të ulëta në sektorin e akomodimit dhe shërbimeve ushqimore.
Sa i përket punësimit, në ndërmarrjet e përfshira në anketë gjatë vitit 2025 kanë qenë të angazhuar 294 mijë e 254 persona, apo 0,4 për qind më shumë se në vitin paraprak.
Megjithatë, ndërtimtaria ka shënuar rënie të dukshme të punësimit, me 11,1 për qind më pak të punësuar.
Tregtia vazhdon të mbetet sektori dominues në ekonominë e Kosovës. Ajo përbën 33,7 për qind të ndërmarrjeve aktive dhe punëson 32,4 për qind të personave të angazhuar në sektorët e anketuar.
Po ashtu, ky sektor realizon 51,7 për qind të qarkullimit të përgjithshëm të ndërmarrjeve.
Pas tregtisë, për nga numri i ndërmarrjeve renditen aktivitetet e shërbimeve të tjera me 22,1 për qind, prodhimi me 14,6 për qind, ndërtimtaria me 11,2 për qind dhe akomodimi e shërbimet ushqimore me 10,3 për qind.
Rritja më e madhe e numrit të ndërmarrjeve është regjistruar në sektorin e furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, me 30,1 për qind.
Ndërkaq, qarkullimi ka shënuar rritjen më të madhe në aktivitetet e shërbimeve të tjera, me 13,9 për qind.
ASK ka bërë të ditur se anketa nuk përfshin të gjithë sektorët e ekonomisë së Kosovës. Jashtë saj kanë mbetur bujqësia, pylltaria, peshkimi, aktivitetet financiare, arsimi, shëndetësia, administrata publike dhe aktivitetet e ekonomive familjare. /Lajmi.net/

