Koalicioni Shqiptar, i udhëhequr nga Enkel Rexhepi, ka dalë i pari në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar, që u mbajtën sot në Serbi.
Sipas rezultateve preliminare të bëra të ditura nga Shaip Kamberi, bartës i listës, lista me numër 3 ka siguruar gjithsej 4 mijë e 769 vota, të cilat përkthehen në 10 nga 29 mandatet në Këshillin Kombëtar Shqiptar.
Kamberi ka falënderuar qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për pjesëmarrjen në votime dhe për besimin e dhënë ndaj koalicionit.
Ai ka bërë të ditur se menjëherë do të nisin bisedimet me listat e tjera, me synimin për konstituimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Sipas Kamberit, ky institucion ka për detyrë të përfaqësojë të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke u angazhuar për arsimin në gjuhën shqipe, kulturën dhe përdorimin e shqipes në institucione./IndeksOnline/

