KORREKT / SOT8 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Bota

Bredhi 75-vjeçar mbërrin në Manhatan, do të zbukurohet me 50 mijë drita për Krishtlindje

Bredhi 75-vjeçar mbërrin në Manhatan, do të zbukurohet me 50 mijë drita për Krishtlindje

Një bredh gjigant, rreth 75-vjeçar dhe 23 metra i lartë, ka mbërritur në Manhatan të Nju Jorkut, ku do të vendoset në sheshin e “Rockefeller Center” dhe do të shndërrohet në një nga simbolet kryesore të festimeve të Krishtlindjeve këtë vit, sipas AP.

Bredhi i llojit bredh norvegjez u transportua nga West Edmeston, në shtetin e Nju Jorkut, pas një udhëtimi prej rreth 320 kilometrash. Pema peshon afërsisht 11 tonë dhe ka një gjerësi prej rreth 15 metrash.

Pas mbërritjes në Manhatan, bredhi u ngrit me vinç dhe u vendos në sheshin e “Rockefeller Center”, pranë pistës së famshme të patinazhit në akull.

Qindra njerëz u mblodhën për të ndjekur mbërritjen dhe vendosjen e tij, duke shënuar kështu nisjen e atmosferës festive në qytet.

Në ditët në vijim, punonjësit do ta zbukurojnë pemën me më shumë se 50 mijë drita LED shumëngjyrëshe, të vendosura përgjatë rreth tetë kilometrave kabllo.

Në majë të saj do të vendoset edhe ylli i famshëm “Swarovski”, i cili peshon rreth 408 kilogramë.

Ndezja zyrtare e dritave do të zhvillohet më 2 dhjetor, gjatë ceremonisë tradicionale që transmetohet në televizion.

Bredhi do të qëndrojë i ekspozuar në “Rockefeller Center” deri më 9 janar 2027, duke u vizituar nga banorë dhe turistë të shumtë.

Tradita e vendosjes së pemës së Krishtlindjeve në “Rockefeller Center” nisi në vitin 1931, kur punonjësit që po ndërtonin kompleksin vendosën një bredh të vogël, të zbukuruar me kurora të punuara me dorë.

Ceremonia e parë zyrtare e ndezjes së dritave u zhvillua në vitin 1933.

Pas përfundimit të sezonit festiv, bredhi nuk do të hidhet, por do të përpunohet në dru, i cili do t’i dhurohet organizatës jofitimprurëse “Habitat for Humanity” për ndërtimin e banesave.

Kjo traditë e veçantë e bën pemën jo vetëm një simbol të festimeve të fundvitit në Nju Jork, por edhe një kontribut për familjet që kanë nevojë për strehim. /atsh

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.