Dogana e Kosovës ka njoftuar për një rast gjatë kontrolleve të rregullta të mallrave për import në Zyrën e Brendshme Doganore në Vërmicë, ku është identifikuar deklarimi i pasaktë i kodit tarifor të mallit, me qëllim të shmangies së detyrimeve doganore dhe kërkesave ligjore për import.
Sipas njoftimit, gjatë verifikimit të deklaratës unike doganore dhe kontrollit të dokumentacionit përcjellës, zyrtarët doganorë kanë identifikuar mospërputhje në klasifikimin tarifor të mallit.
Malli thuhet se ishte klasifikuar në një kod tarifor që nuk kërkonte licencë për import dhe për të cilin aplikoheshin vetëm 8% detyrime importi.
"Megjithatë, pas verifikimit dhe përcaktimit të saktë të kodit tarifor, është konstatuar se malli i nënshtrohet kërkesës për licencë importi nga organet kompetente mbikëqyrëse, si dhe detyrimeve përkatëse prej 10% taksë doganore dhe 18% TVSH.
Vlera e mallit, pa përfshirë detyrimet e importit, është rreth 21,000 euro.
Nga veprimet e ndërmarra është konstatuar se deklarimi i pasaktë i kodit tarifor përbën kundërvajtje doganore, pasi përmes klasifikimit të gabuar është tentuar shmangia e detyrimeve të importit dhe e kërkesave ligjore për pajisjen me licencë përkatëse."

