Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka vlerësuar se buxheti i Kosovës për vitin 2027, ndonëse arrin vlerën prej 4.27 miliardë euro, nuk paraqet domosdoshmërisht rritje reale ekonomike, pasi sipas tij, rritja e tij është kryesisht rezultat i inflacionit.
Gërxhaliu ka theksuar se rritja prej 300 milionë eurosh, krahasuar me buxhetin e vitit 2026, nuk duhet të krijojë eufori, pasi sipas përllogaritjeve të tij, ndikimi i inflacionit prej 7.8 për qind arrin në rreth 311 milionë euro.
Ai ka thënë se Kosovës nuk i nevojitet vetëm rritje numerike e buxhetit, por rritje substanciale që reflektohet në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
Sipas Gërxhaliut, çdo buxhet i miratuar duhet të shoqërohet me një dokument strategjik, ku përcaktohet qartë se ku do të investohen mjetet, cilat do të jenë përfitimet për shtetin dhe çfarë ndikimi do të kenë investimet në jetën e qytetarëve.
“Nuk duhet të kemi eufori sa i përket miratimit të buxhetit për vitin 2027. Është një rritje prej 300 milionë euro, mirëpo në qoftë se analizohet buxheti i vitit 2026 dhe shumëzohet me inflacionin prej 7.8% që e ka aktualisht Kosova, atëherë kuptohet që është një rritje prej 311 milionë euro. Kështu që kjo rritje në 4 miliardë e 270 milionë euro është një rritje shumë më tepër inflatore, apo bazon inflacion, sesa që është rritje e performancës, dhe e tëra kjo duhet të jap një mesazh të qartë: Kosovës nuk i duhet një rritje numerike, Kosovës i duhet një rritje e buxhetit në mënyrë substanciale. Çdo buxhet i miratuar duhet të përcillet me një dokument strategjik, ku do të jenë të investuar këto mjete të cilat do të jenë benefitet e shtetit, cili do të jetë përmirësimi i jetës qytetare në Kosovë përmes investimeve qoftë në aspektin e projekteve strategjike, qoftë atyre kapitale”, ka thënë ai.
Duke analizuar strukturën e buxhetit, ai ka vlerësuar se ndarja e mjeteve dëshmon më shumë orientim drejt mbështetjes sociale dhe shpenzimeve të zakonshme sesa drejt zhvillimit ekonomik.
“Fakti që në të parë do të jenë të ndara tri kategori të buxhetit: njëra në vlerë prej 1 miliard e 450 milionë euro, që ka të bëjë me subvencione dhe me transfere; pjesa tjetër është 1 miliard e 85 milionë euro, që janë në 1/4 e buxhetit për shpenzime dhe ajo që është e paraparë që janë 1 miliard e 7 milionë euro investime kapitale dhe 547 milionë euro parashikime për mallra dhe shërbime, besoj e dëshmon më së miri faktin që ky buxhet do të jetë shumë më tepër një buxhet i mbijetesës sesa që do të jetë një buxhet i zhvillimit apo një qëndrueshmëri ekonomike”, ka deklaruar Gërxhaliu për Ekonomia Online.
Ai ka theksuar gjithashtu se shqetësues mbetet realizimi i ulët i projekteve kapitale të parapara për vitin 2026, duke kërkuar që miratimi i buxhetit të shoqërohet me një strategji konkrete të zbatimit dhe indikatorë matës për efektet e investimeve.
Gërxhaliu ka përmendur edhe sfidat me të cilat po përballet Kosova, përfshirë sanksionet e Bashkimit Evropian, mungesën e institucioneve funksionale dhe proceset e gjata zgjedhore.
“Prandaj, definitivisht në rrethanat në të cilën ka jetuar Kosova vitet e fundit, me sanksionet nga Bashkimi Evropian, me mungesë të institucioneve, me zgjedhje maratonike, është kjo që ka mundur të arrihet, mirëpo shumë më tepër është një orientim i një qëndrueshmërie sociale përmes këtij buxheti, sesa që është një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik. Në veçanti kur dihet që në vitin 2026 kemi pasur parashikime apo projeksione për të investuar në projekte kapitale, por ato janë realizuar vetëm ppothuajse në një përqindje të vogël. Është koha kur duhet vërtetë të kemi një përcjellje të ligjit të miratuar me një vizion apo me një strategji implementuese, ku do të kemi edhe indikatorë matës të efekteve të buxhetit”, ka thënë ndër të tjera Gërxhaliu.
Një tjetër shqetësim, sipas tij, është përfitimi i vogël i Kosovës nga Fondi për Rritje të Ballkanit Perëndimor.
Ai ka thënë se, për shkak të mosplotësimit të kritereve të parapara, Kosova ka humbur 43 milionë euro.
“Është e vërtetë që Kosova në vitin 2027 po hyn me sfida të shumta, sfidat më të mëdha janë definitivisht fakti që në të kaluarën nga fondi për rritje i Ballkanit Perëndimor, ku kanë qenë miliarda euro të akumuluara Kosova e ka marrë një përqindje shumë të vogël. Raportet po na tregtojnë që Kosova ka humbur 43 milionë euro, duke mos përmbushur kriteret do të thotë të parapara me këtë”, ka thënë në fund Gërxhaliu.

