KORREKT / SOT4 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

A do të ndryshoj qëndrim LDK për Ligjin për Dhomat e Specializuara? – flasin nga partia e Abdixhikut

A do të ndryshoj qëndrim LDK për Ligjin për Dhomat e Specializuara? – flasin nga partia e Abdixhikut

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka lënë të hapur mundësinë që kjo parti të ndryshojë qëndrimin dhe ta mbështesë Ligjin për Dhomat e Specializuara në Hagë, nëse pas rishqyrtimit ndryshohet përmbajtja e tij.

Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Sadiku ka thënë se LDK-ja fillimisht duhet të analizojë ndryshimet e mundshme dhe garancitë që ofron ligji për shtetin e Kosovës, të kaluarën dhe të ardhmen e tij.

“Ndoshta. Ne duhet të ulemi dhe të shohim se çfarë përmban ai ligj, çka i sigurohet shtetit të Kosovës, të kaluarës edhe të ardhmes. Nëse ndryshohet përmbajtja, patjetër se nuk do të mungojë mbështetja e LDK-së për ligjin, përderisa kemi të bëjmë me një strukturë e cila e mbron të kaluarën, të ardhmen, shtetin dhe aleancat e Kosovës”, ka deklaruar Sadiku.

Ai ka thënë se zhvillimet e deritanishme kanë treguar se disa nga shqetësimet e ngritura më herët nga LDK-ja kanë qenë të arsyeshme, ndërsa ka përmendur tri çështje që, sipas tij, duhet të trajtohen me prioritet.

Sadiku ka theksuar nevojën për angazhimin e ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë juridikë për të ndihmuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po gjykohen në Hagë, për shtimin e përpjekjeve diplomatike dhe për dokumentimin e plotë të luftës dhe periudhës së pasluftës në Kosovë.

Ai ka shtuar se LDK-ja i ka bërë të qarta arsyet për të cilat nuk e ka mbështetur ligjin në votimin paraprak.

“LDK-ja i ka qartësuar shumë mirë arsyet pse nuk e ka pasur përkrahjen dhe pse mendojmë që mund të bëhet më mirë krejt kjo punë. Për mua, tri çështjet kryesore janë ndihma juridike nga ekspertët më të mirë në Evropë, puna e madhe në diplomaci dhe, e treta, që për mua është më e rëndësishmja dhe për të cilën shumë pak po flitet, dokumentimi i qartë i luftës dhe i pasluftës në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas Sadikut, institucionet dhe partitë politike në Kosovë nuk kanë bërë mjaftueshëm për dokumentimin e ngjarjeve të luftës dhe të periudhës së pasluftës.

Ai ka vlerësuar se dokumentimi dhe digjitalizimi i dëshmive dhe argumenteve do të ndihmonin në mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, në dëshmimin e karakterit të luftës dhe në mbrojtjen e shtetit të Kosovës.

“Nuk është punuar mjaftueshëm nga asnjë institucion i Kosovës dhe asnjë parti politike për ta dokumentuar të vërtetën e luftës dhe pasluftës në Kosovë bukur pastër dhe mirë. Kjo është mbrojtja më e mirë, kështu mbrohen edhe katërshja e UÇK-së, pastërtia e luftës dhe Kosova. Nuk kemi punuar sa duhet në këto dokumentime, nuk i kemi digjitalizuar mjaftueshëm dhe nuk i kemi argumentuar të gjitha gjërat”, ka përfunduar Sadiku

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.