Veprimtari politik, Harry Bajraktari, u ka bërë thirrje shqiptarëve me drejt vote dhe amerikanëve, për pjesëmarrje masive në zgjedhje, duke u bërë apel që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar, qoftë në zgjedhjet lokale, shtetërore apo federale.
Në mesazhin e publikuar, theksohet rëndësia e votës për forcimin e demokracisë, zhvillimin ekonomik, sigurinë kombëtare dhe të ardhmen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Vota juaj ka rëndësi. Votoni për një demokraci më të fortë, për një ekonomi të lulëzuar dhe për një ushtri amerikane më të fortë. Votoni për ta mbajtur Amerikën të sigurt, të begatë dhe të bashkuar”, thuhet në thirrje, shkruan Telegrafi.
Qytetarët amerikanë inkurajohen që përmes votës të ndikojnë në të ardhmen e tyre, të fëmijëve dhe të brezave që vijnë, duke u kujtuar se pjesëmarrja në proceset demokratike është një nga mënyrat më të rëndësishme për të ushtruar të drejtat qytetare.
Mesazhi rikujton gjithashtu 250-vjetorin e historisë së Shteteve të Bashkuara dhe sakrificat e bëra ndër breza për mbrojtjen e lirisë, duke theksuar se pjesëmarrja në demokraci është një mënyrë për të nderuar këtë trashëgimi.
“Bëjeni zërin tuaj të dëgjohet. Dilni dhe votoni!”, përfundon thirrja drejtuar qytetarëve amerikanë./Telegrafi/

