Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës, Besnik Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka ngritur shqetësime për gjendjen në sektorin e energjisë, duke kritikuar çmimet e larta dhe problemet me furnizimin me energji elektrike.
Tahiri ka bërë të ditur se kërkesa e tyre për debat parlamentar lidhur me energjinë dhe dështimet në këtë sektor është dakorduar të shtyhet për javën e ardhshme.
“Kërkesa jonë për debat për energji dhe dështimet që kanë ndodhur në këtë sektor, për çmimet e larta, u dakordua të mos mbahet këtë javë, por javën e ardhshme. Edhe pse është një temë e rëndësishme, ajo që më duhet ta them dhe që ndërlidhet me energjinë është se sot për sot Kosova është duke e blerë energjinë me çmimin më të lartë në nivel të Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Tahiri, transmeton Klankosova.tv.
Ai ka kritikuar gjithashtu gjendjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë, duke theksuar se blloku B1 i Termocentralit Kosova B është jashtë funksionit.
“Blloku më i rëndësishëm, B1, është jashtë funksionit, për çka është folur shumë, ndërsa si rrjedhojë sot Kosova, shumica e qyteteve, gjendet në terr”, ka thënë ai.
Tahiri ka theksuar se çështja e energjisë nuk duhet të trajtohet vetëm si problem ekonomik, por edhe si çështje me rëndësi strategjike dhe politike për vendin.
“Diskutimi për energjinë realisht është diskutimi për jetën. Trajtimi i kësaj teme me prioritet është forcim i pozicionit jo vetëm energjetik, mirëpo edhe strategjik dhe politik”, ka deklaruar Tahiri./Klankosova.tv

