Edon Zhegrova mund të ketë një rol të rëndësishëm në përballjen e ardhshme të Juventusit ndaj Napolit, pasi trajneri Luciano Spalletti ka konfirmuar se sulmuesi kosovar do të aktivizohet gjatë ndeshjes, edhe nëse nuk e nis atë nga minuta e parë.
Juventusi po kalon një periudhë të vështirë, ndërsa humbja 2-0 nga Genoa në mesjavë e ka zbritur skuadrën në pozitën e nëntë në tabelën e Serie A. Para duelit të së dielës ndaj Napolit, Spalletti ka kërkuar reagim nga futbollistët e tij dhe ka theksuar se skuadra duhet të tregojë më shumë dëshirë dhe vendosmëri për të marrë rezultate pozitive.
I pyetur nëse mund të bëjë ndryshime në formacion, duke përfshirë mundësinë që Zhegrova ose Jeremie Boga të startojnë, trajneri italian la të kuptohet se të dy futbollistët do të kenë hapësirë në këtë përballje.
“Edhe nëse nuk e nisin si titullarë, ata do të aktivizohen në pjesën e dytë”, deklaroi Spalletti.
Kjo është një mundësi për Zhegrovën që të kontribuojë në një ndeshje me rëndësi të veçantë për Juventusin, i cili synon të reagojë pas disfatës së fundit dhe të mos humbasë më shumë terren në garën për pozitat e kreut.
Spalletti, ndërkohë, ka kërkuar nga skuadra të shfaqë ekuilibër, guxim dhe dëshirë më të madhe se kundërshtari, duke paralajmëruar se përballja me Napolin do të jetë shumë e vështirë.
“Na duhet një skuadër me ekuilibër, sepse do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Nuk duhet të kemi frikë në asnjë pjesë të fushës dhe do të kemi pak kohë për të sulmuar. Nuk do të ketë kohë për të folur”, u shpreh trajneri i Juventusit./Telegrafi/

