KORREKT / SOT31 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Bota

Biznesmeni i dënuar në SHBA për raketat e Koresë së Veriut zotëron kompani armësh në Republikën Sërpska

Biznesmeni i dënuar në SHBA për raketat e Koresë së Veriut zotëron kompani armësh në Republikën Sërpska

Shtetasi i Bosnje e Hercegovinës, Sasha Micev, i dënuar në Shtetet e Bashkuara për tentim ndërmjetësimi në blerjen e raketave nga Koreja e Veriut, për vite me radhë ndërtoi një rrjet kompanish në Bosnje, ka zbuluar një hulumtim i Shërbimit të Ballkanit të Rel-it.

Micevi u dënua me pesë vjet burgim, ndërsa prokurorët amerikanë e përshkruan atë si tregtar ndërkombëtar të armëve.

Gjatë dekadës së fundit, ai regjistroi të paktën tri kompani në Bosnje e Hercegovinë, dy prej të cilave në Banjallukë.

Njëra prej tyre mori pëlqimin e Qeverisë së entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska, për prodhimin dhe riparimin e armatimit dhe pajisjeve ushtarake. Megjithatë, nuk dihet nëse ajo siguroi edhe lejet e nevojshme nga institucionet shtetërore.

Partneri i biznesit i Micevit në Bosnje e Hercegovinë ishte shtetasi amerikan Douglas Enrique Rios, me origjinë nga El Salvadori, i cili është i lidhur me disa kompani amerikane në sektorin e municionit dhe industrisë së mbrojtjes.

Dokumentet gjyqësore amerikane, në të cilat REL-i kishte qasje, tregojnë se Rios ishte i përfshirë edhe në disa procese gjyqësore që lidhen me industrinë e armëve të zjarrit.

Deri në publikimin e këtij teksti, REL-i nuk mori marrë përgjigje në pyetjet e dërguara në adresat elektronike të kompanive të regjistruara në Bosnje e Hercegovinë nga Micev dhe Rios.

As Ministria e Tregtisë e Republikës Sërpska dhe as Ministria e Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike e Bosnje e Hercegovinës, institucionet përgjegjëse për lëshimin e lejeve dhe pëlqimeve për tregtinë me armatim, nuk iu përgjigjën pyetjeve lidhur me aktivitetet e tyre afariste në këtë vend.

Micev u arrestua në janar të vitit 2023 në Aeroportin John F. Kennedy në Nju Jork dhe qëndroi në paraburgim në SHBA deri në shpalljen e aktgjykimit, në shtator të vitit 2026.

Pasi e pranoi fajësinë, ai u dënua për shkeljen e ligjeve amerikane dhe sanksioneve ndërkombëtare kundër Koresë së Veriut, duke tentuar të ndërmjetësonte shitjen e sistemeve kundërajrore raketore, SA-18 Igla, nga ky shtet.

Sipas një dokumenti gjyqësor, në të cilin REL-i kishte qasje, Micev pranoi të dëbohej nga SHBA-ja pas vuajtjes së dënimit.

REL-i nuk arriti të përcaktonte se ku jetonte Micev para arrestimit dhe nëse posedon ndonjë shtetësi tjetër, përveç asaj të Bosnje e Hercegovinës.

Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës nuk iu përgjigj pyetjeve nëse ishte në dijeni të rastit dhe nëse ishte kontaktuar nga autoritetet amerikane.

Koreja e Veriut është nën sanksionet e Kombeve të Bashkuara për shkak të programit të saj bërthamor. Këto sanksione përfshijnë edhe embargon për eksportin e armëve, të cilën janë të detyruara ta respektojnë të gjitha shtetet anëtare të OKB-së.

Çfarë bënte Micevi në Bosnje e Hercegovinë?

Sipas të dhënave publike, Micev i nisi aktivitetet e biznesit në Bosnje e Hercegovinë para 12 vjetësh.

REL-i identifikoi të paktën tri kompani të lidhura me të.

Në vitin 2014, ai regjistroi në Banjallukë kompaninë BSTG, e autorizuar për të ushtruar dhjetëra veprimtari, nga kultivimi i frutave të imëta dhe shitja e automjeteve, deri te shërbimet për kujdesin e lëkurës dhe fytyrës.

Tre vjet më vonë u themelua një tjetër kompani, Balkan Security Tech Group, e cila ishte e regjistruar për kryesisht të njëjtat veprimtari.

Kjo kompani përdor shkurtesën BSTG, ndërsa si pronar figuron një person me të njëjtin mbiemër, por me emër tjetër: Sllobodan Micev.

"Jemi një kompani e re, ekipi i së cilës ka përvojë shumëvjeçare në industrinë e sigurisë. Kompania jonë është e specializuar në ofrimin e produkteve dhe zgjidhjeve të sigurisë në disa nivele. Ekipi ynë mund t'ju ofrojë konsulencë, zhvillim, trajnim dhe mbështetje teknike për sistemet e sigurisë", thuhet në ueb-faqen e kompanisë.

Balkan Security Tech Group në mesin e partnerëve të saj rendit kompani nga shtete të ndryshme, të specializuara në sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike, sigurinë kibernetike, forenzikën digjitale, mbikëqyrjen e komunikimeve dhe sistemet për kontrollin e trafikut.

Që të dy kompanitë me seli në Banjallukë, në regjistrin e prokurimit publik të Bosnje e Hercegovinës, kanë deklaruar të njëjtën faqe interneti dhe të njëjtat numra telefoni për kontakt.

Në adresën e Balkan Security Tech Group, ku janë të regjistruara kompanitë në pronësi të Sllobodan Micevit, ndodhet një banesë. Në interfonin e saj figuron emri "Sasha Micev".

Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të REL-it, askush nuk u përgjigj.

Nga procesverbali i mbledhjes së Qeverisë së entitetit të Republikës Sërpska, të mbajtur në maj të vitit 2021, rezulton se Balkan Security Tech Group kishte kërkuar dhe kishte marrë pëlqimin për prodhimin dhe riparimin e armatimit dhe pajisjeve ushtarake.

Megjithatë, sipas ligjeve të Bosnje e Hercegovinës, për këto veprimtari nevojiten edhe lejet e Ministrisë së Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnje e Hercegovinës, në nivel shtetëror.

Deri në publikimin e këtij teksti, kjo ministri nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse Balkan Security Tech Group i kishte siguruar këto autorizime.

Të dhënat financiare të mbledhura nga CompanyWall, bazuar në regjistrin zyrtar të subjekteve afariste të Republikës Sërpska, tregojnë se Balkan Security Tech Group realizoi, nga viti 2019 deri më 2025, të hyra vjetore që shkojnë nga disa dhjetëra mijëra deri në disa qindra mijëra euro.

Kompania tjetër, BSTG, është në procedurë falimentimi.

Sasha Micev dhe Douglas Enrique Rios, shtetas i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në janar të vitit 2022 themeluan në Sarajevë kompaninë North River, me kapital themeltar prej 500 eurosh.

Ajo u regjistrua për veprimtari tregtare dhe prodhuese të ngjashme me ato që ushtronin dy kompanitë në Banjallukë.

Të dhënat financiare të disponueshme për publikun tregojnë se kompania është ende aktive, por nuk ka të hyra apo shpenzime të deklaruara dhe nuk ka llogari aktive bankare për biznesin.

Gjatë procedurës së regjistrimit të kompanisë, Micevin e përfaqësoi avokati nga Sarajeva, Amar Mutapçiq.

"Atë zotëri e kam parë dy herë", tha Mutapçiqi.

"Herën e parë kur nënshkroi dokumentacionin për themelimin e kompanisë dhe herën e dytë kur i mori dokumentet e kompanisë".

Mutapçiq theksoi se ishte angazhuar vetëm për procedurën e regjistrimit dhe se më pas nuk e kishte parë më Micevin. Ai tha gjithashtu se nuk e di nëse kompania kishte ushtruar ndonjëherë veprimtari afariste.

Deri në publikimin e këtij teksti, REL-i nuk mori as përgjigje për pyetjet lidhur me aktivitetet e kompanisë North River, të dërguara në adresën elektronike të shënuar në regjistrin e bizneseve.

Pieter Wezeman, hulumtues në Institutin Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqe në Stokholm (SIPRI), tha se ndërmjetësit ndërkombëtarë të tregtisë së armëve shpesh veprojnë përmes rrjeteve të kontakteve afariste dhe kompanive të regjistruara në disa shtete.

"Rregullime të tilla nuk janë domosdo të paligjshme në vetvete. Megjithatë, në këtë rast, thelbësore është se ai [Micev] tentoi të bënte biznes me Korenë e Veriut, e cila është nën sanksione ndërkombëtare për shkak të programit të saj raketor dhe bërthamor", tha Wezeman.

Kush është Sasha Micev?

Sipas njoftimit të Ministrisë amerikane të Drejtësisë, të publikuar pas shpalljes së aktgjykimit, Micev është tregtar ndërkombëtar i armëve.

Në profilin e Sasha Micevit në rrjetin profesional LinkedIn thuhet se ai është pronar i kompanisë Balkan Security Tech Group në Bosnje e Hercegovinë.

Bazuar në fotografinë e profilit të tij në këtë rrjet, REL-i e identifikoi të njëjtin person në Sarajevë në vitet 2015 dhe 2019.

Fotografitë publike tregojnë se ky person ndodhej në Sarajevë në vitin 2015, ku kishte marrë pjesë në konferencën dhe panairin Adria Security Summit, një ngjarje rajonale kushtuar industrisë së sigurisë.

I njëjti person kishte marrë pjesë edhe në Adria Security Summit, të mbajtur në Shkup në vitin 2019.

Gjatë paraqitjes së parë para gjykatës në Nju Jork, pas arrestimit në janar të vitit 2023, Micev e përshkroi veten si "ndërmjetës i pavarur".

Në një formular për deklarimin e gjendjes financiare, të cilin e plotësoi pas arrestimit dhe në të cilin REL-i kishte qasje, ai deklaroi se bashkëshortja e tij fitonte "rreth 30.000 euro në muaj". Në dokument nuk përmendej identiteti i saj dhe as vendbanimi.

Micevi e vlerësoi pasurinë e tij në "rreth 60.000", pa specifikuar valutën.

yrtarët e Departamentit amerikan të Sigurisë Kombëtare e arrestuan atë më 26 janar 2023 në Aeroportin JFK në Nju Jork, pasi një gjykatë federale në Nju Meksiko kishte lëshuar urdhërarrest ndaj tij dy ditë më parë.

Nga dokumentet gjyqësore të disponueshme për publikun nuk mund të përcaktohet se sa kohë kishte qenë Micev nën hetimet e autoriteteve amerikane dhe as kur aktivitetet e tij kishin tërhequr për herë të parë vëmendjen e tyre.

Pas arrestimit, ai u transferua në paraburgim në Nju Meksiko, ku qëndroi deri në shpalljen e aktgjykimit në shtator të vitit 2026, pasi e pranoi fajësinë për shkeljen e sanksioneve amerikane kundër Koresë së Veriut.

Aktakuza fillestare e ngarkonte atë për shkeljen e një prej dispozitave më të rrepta të legjislacionit penal amerikan, që rregullon prokurimin e sistemeve portative kundërajrore raketore. Për këtë vepër parashihej dënim deri në 25 vjet burgim. /REL

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU:

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.