Aleanca ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke i konsideruar përgjegjës politikë për dështimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave, si dhe për mënyrën e menaxhimit të rastit të Arlinda Zekajt.
Në një reagim publik, partia ka shprehur mbështetje për kërkesën e grave të Kosovës për largimin e ministres Gërvalla, ndërsa ka kërkuar që edhe Sveçla të japë dorëheqje, për shkak të asaj që e cilëson si menaxhim fatal të rastit, transmeton lajmi.net.
Sipas Aleancës, dështimet në parandalimin dhe trajtimin e dhunës në familje nuk mund të trajtohen vetëm si përgjegjësi e zyrtarëve të policisë apo prokurorisë, por duhet të adresohen edhe në nivelin më të lartë politik.
Partia ka kërkuar rishikimin dhe ndryshimin urgjent e të plotë të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave, duke vlerësuar se përgjegjësia institucionale duhet të përfshijë edhe drejtuesit e institucioneve përkatëse.
“Është e papranueshme që të shkarkohen vetëm vartësit, ndërsa përgjegjësit politikë të vazhdojnë të bëjnë sehir, duke mbrojtur një strategji që ka dështuar”, thuhet në reagimin e Aleancës.
Në përfundim, Aleanca ka theksuar se përgjegjësia për dështimet institucionale duhet të nisë nga nivelet më të larta drejtuese dhe se të gjithë personat përgjegjës duhet të japin llogari për veprimet dhe mosveprimet e tyre./lajmi.net/

