Interi ka shënuar fitore me rezultat 2-0 ndaj Venezias, në kuadër të xhiros së nëntë të Serie A, në një ndeshje ku të dy golat erdhën nga autogolat e futbollistëve të skuadrës vendase.
Pjesa e parë ishte e luftuar, me Venezian që krijoi disa raste të mira shënimi. Në minutën e 27-të, Akor Adams provoi me një goditje të fortë nga distanca, por portieri i Interit reagoi shkëlqyeshëm.
Dy minuta më vonë, Lion Lauberbach e dërgoi topin në rrjetë pas një topi të kthyer, por goli u anulua pas rishikimit të pamjeve me VAR për pozitë jashtë loje.
Venezia vazhdoi të kërkonte golin dhe në minutën e 37-të, Lauberbach ishte shumë pranë shënimit, por goditja e tij u ndal nga portieri dhe traversa. Pavarësisht rasteve të krijuara, pjesa e parë përfundoi pa gola.
Në pjesën e dytë, Interi bëri disa ndryshime në formacion, ndërsa Venezia vazhdoi të rrezikonte. Gianluca Busio humbi një rast të mirë në minutën e 67-të, kur goditja e tij përfundoi pak mbi traversë.
Fati i ndeshjes u vendos në minutat e fundit. Në minutën e 79-të, Matias Moreno devijoi aksidentalisht topin në portën e tij, duke i dhënë epërsinë Interit.
Vetëm tri minuta më vonë, Akor Adams shënoi një tjetër autogol, duke e dërguar topin në rrjetën e skuadrës së tij dhe duke vulosur fitoren 2-0 të Interit.
Me këtë fitore, në kuadër të xhiros së nëntë, Interi ngjitet në kuotën e 25 pikëve dhe kryeson tabelën e Serie A së bashku me Lazion, që gjithashtu ka grumbulluar 25 pikë. /Telegrafi/

