Aktorja Shota Baraliu ka folur hapur për pjesëmarrjen e saj në edicionin e parë të Big Brother VIP Kosova, duke treguar pa hezitim arsyen që e kishte shtyrë të bëhej pjesë e këtij formati televiziv.
Në një intervistë për “Sol”, ajo ka deklaruar se motivimi kryesor për hyrjen në shtëpinë e famshme ishte çmimi i madh, duke kundërshtuar pretendimet e disa konkurrentëve se pjesëmarrjen e shohin vetëm si një eksperiencë të re.
“Kur është një artist, sigurisht që ai futet për para. Nuk është se kam qenë një aktore e harruar që kam dashur të më sillnin në skenë edhe një herë”, është shprehur Shota.
Foto: Screenshot/YoUTube
Ajo ka shtuar se rikthimi në një format të tillë nuk ishte një përpjekje për t’u rikujtuar publikut, pasi, sipas saj, ishte aktive vazhdimisht në skenë.
“Sigurisht që është çmimi, ai nuk diskutohet. Është gënjeshtër kur thonë se kam hyrë për eksperiencë. Për eksperiencë nuk kam hyrë fare, por kam hyrë për çmim”, ka deklaruar ajo.
Shota ka folur edhe për rëndësinë që kanë paratë në kohën e sotme, duke thënë se për shumë konkurrentë motivimi financiar është arsyeja kryesore për t’u bërë pjesë e një reality show të tillë.
“Në kohën që kemi ardhur janë paratë, gjëja e parë që shohin. Lëre ti eksperiencën, janë hyrë për pare”, ka thënë ajo, duke e shprehur qëndrimin e saj në mënyrë të drejtpërdrejtë. /Telegrafi/

