Meghan Markle thuhet se i dërgoi të atit, Thomas Markle, një letër në dhjetor të vitit 2025, përmes së cilës i bëri të ditur se kishte dijeni për akuzat për abuzim seksual ndaj fëmijëve që kishin dalë në lidhje me të.
Sipas gazetës britanike The Sun, në këtë letër ajo i kishte komunikuar gjithashtu se kjo do të ishte hera e fundit që do t’i drejtohej dhe se ai nuk do të kishte mundësi t’i takonte fëmijët e saj, Archie dhe Lilibet.
Në atë kohë, Thomas ndodhej i shtruar në një spital në Filipine, ku më 3 dhjetor iu amputua këmba e majtë poshtë gjurit për shkak të një mpiksjeje gjaku.
Meghan
Sipas raportimit të The Sun, Meghan kishte dashur të sigurohej që letra të mbërrinte në duart e të atit dhe që ai ta lexonte atë.
Për këtë arsye, ajo kishte organizuar që administrata e spitalit t’ia dorëzonte personalisht pranë shtratit.
Sipas të njëjtit burim, Thomas Markle kishte nënshkruar konfirmimin për pranimin e letrës dhe ishte fotografuar në momentin kur e mori atë.
Raportohet gjithashtu se e kishte lexuar disa herë.
Përfaqësuesi i Meghanit kishte konfirmuar në atë kohë se letra kishte mbërritur në mënyrë të sigurt te marrësi, ndërsa përmbajtja e saj nuk ishte bërë publike deri në fundjavën e raportimit.
Meghan dhe babai i saj
Çështja lidhet me akuza të rënda të ngritura nga Thomas Markle Jr., vëllai i Meghanit.
Ai pretendoi se kishte gjetur qindra fotografi që lidhen me abuzimin seksual të fëmijëve në ish-shtëpinë e të atit në Filipine.
Ministria e Drejtësisë në Filipine ka konfirmuar se rasti është nën hetim.
Ndërkohë, Thomas Markle, i cili sipas raportimeve tashmë jeton në Florida, i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar në një deklaratë për Daily Mail si gënjeshtra të rënda dhe të neveritshme.
Më 23 tetor, Meghan deklaroi se ishte thellësisht e tronditur nga zhvillimet.
Meghan dhe babai i saj
Ajo bëri të ditur se policia britanike i kishte përcjellë më herët një letër që përmbante akuza ndaj të atit.
Policia Metropolitane e Londrës konfirmoi se e kishte pranuar këtë letër në janar të vitit 2019, por nuk ua kishte përcjellë atë institucioneve të tjera përkatëse.
Tashmë, policia britanike po rishqyrton mënyrën se si e ka trajtuar çështjen në atë kohë dhe po vlerëson nëse rasti duhet t’i referohet një organi të pavarur për mbikëqyrjen e policisë, IOPC.
Zhvillimet e fundit kanë rikthyer vëmendjen te marrëdhënia e tensionuar mes Meghanit dhe të atit, me të cilin ajo prej vitesh ka pasur kontakte të kufizuara. /Telegrafi/

