Studentët që marrin pjesë në bllokadë u kanë bërë thirrje sonte qytetarëve të Beogradit që të mos mblidhen pranë vendeve ku ka prani të shtuar policore dhe të personave me rroba civile.
Mesazhi i tyre vjen në një kohë kur forca shtesë policore, përfshirë pjesëtarë të Xhandarmërisë, po vendosen në qendër të Beogradit pas përfundimit të zgjedhjeve.
“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Beogradit të mos mblidhen pranë vendeve ku është vërejtur një prani e shtuar e policisë dhe e personave me rroba civile. Le të qëndrojmë të sigurt, paqësorë dhe dinjitozë deri në fund,” deklaruan studentët e përfshirë në bllokadë.
Në deklaratën e tyre, ata nuk specifikuan vendndodhje të caktuara, e as nuk sqaruan se kujt i referohet paralajmërimi për “persona me rroba civile”, raporton Nova.
Gjatë ditës është vërejtur një prani e shtuar e policisë në disa lokacione në qendër të Beogradit. Automjete policore janë parë pranë Pallatit të Vjetër dhe duke mbërritur në Parkun Pionir.
Disa automjete të Xhandarmërisë kanë mbërritur gjithashtu në zonën e rrethuar para Komisionit Republikan Zgjedhor, përballë Parkut Pionir. Pjesëtarët e këtij njësiti janë të pajisur për kontrollin e trazirave dhe se ndriçimi publik në atë zonë është fikur.
Deri më tani, nuk ka ndonjë shpjegim zyrtar lidhur me arsyen specifike të ardhjes së forcave shtesë policore në Parkun Pionir.
Studentët kishin pretenduar më herët se Partia Përparimtare Serbe e Aleksandar Vuçiq planifikon mobilizimin e mbështetësve të saj duke filluar nga ora 21:00, ndonëse theksuan gjithashtu se nuk dëshirojnë asnjë lloj përballje.

