Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka paralajmëruar për një kërcënim ekzistencial ndaj Izraelit nga Irani, vetëm dy ditë para zgjedhjeve të 27 tetorit.
Në një postim në rrjetin social X, ai ka shpërndarë edhe një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale, ku paraqitet një shpërthim bërthamor mbi Tel Avivin.
Netanyahu e përshkroi kërcënimin si “real dhe të prekshëm”, duke argumentuar se sigurimi i armëve bërthamore nga Irani do t’i bënte të parëndësishme të gjitha çështjet e tjera politike në Izrael.
“Nëse iranianët sigurojnë armë bërthamore, asgjë tjetër nuk do të ketë më rëndësi”, thuhet në postimin e tij, transmeton Telegrafi.
Ai i cilësoi polemikat që kanë përfshirë qeverinë, përfshirë çështjen e njohur si “Qatargate” dhe shmangien e shërbimit ushtarak nga disa pjesëtarë të komunitetit ultraortodoks, si një “perde të madhe tymi”, që sipas tij synon të largojë vëmendjen nga kërcënimi iranian.
“Nëse dy bomba atomike do të binin në Izraelin qendror, kush do të shqetësohej për të gjitha këto polemika të parëndësishme?”, pyeti Netanyahu.
Kryeministri izraelit argumentoi gjithashtu se vendi ka një mundësi të kufizuar për t’u përballur me Iranin, për sa kohë që Donald Trump është president i Shteteve të Bashkuara. Sipas tij, brezat e ardhshëm nuk do ta falnin Izraelin nëse humbet këtë “dritare historike mundësie”.
Netanyahu paralajmëroi se votuesit mund t’i ekspozojnë familjet e tyre ndaj “rrezikut të një Holokausti të dytë” nëse zgjedhin një udhëheqës që, sipas tij, nuk është në gjendje të përballet me Iranin. Postimi nënkuptonte se vetë Netanyahu është kandidati i duhur për këtë detyrë.
Kritikët e kanë akuzuar së fundmi kryeministrin se po përpiqet të rifillojë luftën kundër Iranit për të ndikuar në zgjedhjet e 27 tetorit ose për t’i shtyrë ato. Netanyahu i ka mohuar këto akuza.
Sipas raportimeve, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, gjenerallejtënant Eyal Zamir, ka deklaruar në një takim privat se nuk sheh nevojë operacionale për ta goditur Iranin para zgjedhjeve.
Postimi i Netanyahut nxiti reagime nga kundërshtarët e tij politikë. Gadi Eisenkot, kryetar i partisë Yashar, e akuzoi kryeministrin për përhapje frike në prag të votimit.
“Netanyahu, je histerik. Si në çdo fushatë zgjedhore, është e njëjta metodë gënjeshtrash dhe frikësimi. Këtë herë, po i kërcënon qytetarët izraelitë me shkatërrim masiv”, shkroi Eisenkot në X, duke shtuar se kjo po ndodh pasi, sipas tij, Netanyahu nuk i ka arritur objektivat e luftës kundër Iranit.
“Ke dështuar. Dhe pas dy ditësh, populli i Izraelit do ta tregojë këtë në kutitë e votimit”, shtoi ai.
Edhe Yair Golan, kryetar i partisë Demokratët, reagoi ndaj imazhit të shpërndarë nga kryeministri.
“Përditësim: Kryeministri i Izraelit ka publikuar një imazh të një bombe atomike mbi Tel Aviv”, shkroi Golan, duke kërkuar që Netanyahu të mbahet larg rrjeteve sociale.
“Ky njeri dhe njerëzit përreth tij e kanë humbur arsyen. Presioni po rritet”, deklaroi ai, duke shtuar se të martën votuesit do t’i zëvendësojnë ata që, sipas tij, mbjellin panik dhe do të rikthejnë sigurinë dhe arsyen në Izrael. /Telegrafi/

