Në Beogradin e Ri, policia ndaloi një burrë që u përpoq të bllokonte një autobus, por ai arriti të largohej nga automjeti zyrtar.
Incidenti ndodhi pranë “Stari Merkator”, pasi një autobus që transportonte individë të paidentifikuar u ndal para selisë së Partisë Përparimtare Serbe (SNS).
Pas mbërritjes së autobusit, qytetarët bllokuan kryqëzimin dhe policia ndaloi njërin prej tyre, transmeton Telegrafi.
Ndërsa oficerët po e futnin burrin në automjet, turma protestoi dhe kërkoi lirimin e tij. Në atë moment, i ndaluari thjesht hapi derën tjetër të automjetit policor dhe doli jashtë. Pamjet e ngjarjes tregojnë se oficerët nuk bënë asnjë përpjekje për ta ndaluar atë.
Së bashku me pamjet e incidentit, organizata “Zborovi Zemun” postoi komentin vijues: “Në Beogradin e Ri, një burrë kundërshtoi praninë e ‘votuesve fantazmë’, ndaj policia u përpoq ta ndalonte. Por ai dinte një hile – u arratis përmes derës tjetër! Policia as nuk u përpoq ta ndiqte; është e qartë se edhe ata e kuptuan”.
Shoqata “Eko strazha” (Rojet Ekoligjike) deklaroi se, pas incidentit, individët që ndodheshin në autobus u dërguan në qendrat e votimit dhe në selinë e SNS-së.
Një situatë e ngjashme ndodhi vitin e kaluar gjatë protestave në Bllokun 4, në Beogradin e Ri. Në atë rast, oficerët e futën aktivistin Srgjan Markoviq në një automjet zyrtar përmes njërës derë; ndërsa oficerët po debatonin me turmën, ai thjesht doli jashtë përmes derës tjetër, pa u penguar nga askush. /Telegrafi/

