Policia e Kosovës ka dhënë detaje për një aksident që ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Skenderaj, ku dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime pasi vetura zyrtare është goditur nga një veturë tjetër gjatë përpjekjes për ta ndaluar drejtuesin e saj.
Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur më 24 tetor, rreth orës 21:45, kur njësiti policor gjatë patrullimit ka hasur në një veturë me targa vendore, drejtuesi i së cilës po bënte vozitje të rrezikshme.
“Gjatë përpjekjes për ta ndalur veturën, në lëvizje drejtuesi i veturës së dyshuar i panjohur ka goditur veturën e policisë, nxjerrë nga rruga e cila ka goditë një shtyllë elektrike”, thuhet në raportin e Policisë.
Si pasojë e aksidentit, dy zyrtarët policorë që ndodheshin në veturën zyrtare kanë pësuar lëndime dhe kanë marrë trajtim mjekësor fillimisht në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Skenderaj, e më pas në Spitalin Rajonal në Mitrovicën e Jugut.
“Pas tretmanit janë liruar”, thuhet në raport.
Ndërkohë, vetura e dyshuar është gjetur e aksidentuar dhe e braktisur në fshatin Rezallë.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po merren me hetimin e rastit, për të cilin është njoftuar edhe prokurori.

