KORREKT / SOT22 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Rregulla të reja për makinat e vjetra në Shqipëri, çregjistrim me certifikatë shkatërrimi dhe dorëzim pa kosto për qytetarët

Rregulla të reja për makinat e vjetra në Shqipëri, çregjistrim me certifikatë shkatërrimi dhe dorëzim pa kosto për qytetarët

Qeveria shqiptare ka hartuar një projektvendim të ri normativ që synon reformimin e plotë të sistemit të menaxhimit të automjeteve të vjetra dhe pjesëve të tyre përbërëse. Akti i ri, i cili propozohet nga Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, vjen si një detyrim për përafrimin e legjislacionit kombëtar me Direktivën 2000/53/KE të Bashkimit Evropian, duke shfuqizuar kuadrin e vjetër ligjor të vitit 2012.

Sipas relacionit shpjegues, qëllimi thelbësor është “mbrojtja e mjedisit dhe e shëndetit të njeriut, nëpërmjet parandalimit të mbetjeve të automjeteve”, duke i hapur rrugë ekonomisë qarkulluese përmes ripërdorimit dhe riciklimit.

Një nga ndryshimet me ndikimin më të drejtpërdrejtë te qytetarët është krijimi i lehtësirave për heqjen dorë nga mjetet jofunksionale. Projektvendimi garanton “dorëzimin e automjetit në fund të jetës pa asnjë kosto për zotëruesin ose pronarin e fundit, edhe kur automjeti nuk ka vlerë tregu ose ka vlerë tregu negative”. Kjo kosto financiare nuk do të rëndojë mbi buxhetin e shtetit, por, në përputhje me parimin e përgjegjësisë së zgjeruar, “kostot e këtij dorëzimi i përballojnë prodhuesit, tërësisht ose në një pjesë të konsiderueshme”.

Për t’i dhënë fund informalitetit dhe çmontimit të pakontrolluar rrugëve, dokumentacioni dhe gjurmueshmëria e mjeteve do të hyjnë në një regjim strikt. Relacioni bën të qartë se çregjistrimi i një mjeti nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) nuk do të mund të bëhet më pa u mbyllur cikli i tij jetësor pranë një pike të licencuar. Kjo gjurmueshmëri sigurohet nëpërmjet “certifikatës së shkatërrimit, e cila lëshohet vetëm nga operatori i autorizuar i trajtimit” dhe përmban “një kod serial unik të dhënë nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit”.

Përtej anës burokratike, drafti vendos standarde të forta mjedisore. Për të shmangur ndotjen e tokës dhe ujërave, operatorët e autorizuar të trajtimit detyrohen të kryejnë “dekontaminimin përpara çdo operacioni tjetër trajtimi, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe jo më vonë se 10 ditë nga marrja në dorëzim”. Më tej, duke nisur pas datës 1 janar 2028, ndalohet në mënyrë të prerë “hedhja për herë të parë në treg të automjeteve, të materialeve dhe të pjesëve përbërëse që përmbajnë plumb, merkur, kadmium ose krom gjashtëvalent”.

Për realizimin e këtyre objektivave, shteti ka parashikuar një kalendar të saktë arritjesh sipas modeleve evropiane. Deri në janar 2028, operatorët ekonomikë duhet të sigurojnë “jo më pak se 85 për qind ripërdorim e rikuperim dhe 80 për qind ripërdorim e riciklim”, ndërsa këto shifra rriten përkatësisht në 95% dhe 85% duke filluar nga 1 janari i vitit 2030.

Sistemi i ri lë pak hapësirë për abuzime edhe me hapësirat publike, pasi institucionet vendore dhe Policia e Shtetit ngarkohen me detyrën “të identifikojë dhe të heqë automjetet e braktisura” për t’i dërguar më pas drejt trajtimit përfundimtar. Për t’u lënë kohë bizneseve aktuale të skrapit dhe autovarrezeve të përshtaten me rregullat e reja, projektvendimi përcakton një klauzolë tranzitore, e cila u jep atyre “18 muaj nga hyrja në fuqi e vendimit” për të investuar dhe plotësuar kërkesat minimale teknike dhe mjedisore të përcaktuara në ligj. Për zbatimin e reformës nuk janë parashikuar efekte shtesë në buxhetin e shtetit./RTSh

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.