Një çift është gjetur i vdekur në shtëpinë e tyre në Bray të Irlandës, nëntë vjet pasi dy fëmijët e tyre të vegjël humbën jetën në një zjarr tragjik.
Bridgid “Biddy” O’Brien, 45 vjeçe, dhe partneri i saj, Jamie McGinn, 38 vjeç, u gjetën të vdekur të mërkurën në mëngjes. Policia irlandeze ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së tyre, ndërsa deri më tani nuk dyshohet se në rast është përfshirë ndonjë person tjetër.
Autoritetet kanë urdhëruar kryerjen e autopsive për të përcaktuar shkakun e vdekjes, shkruan Mirror, transmeton Klankosova.tv.
Çifti kishte përjetuar një tragjedi të rëndë në mars të vitit 2017, kur fëmijët e tyre, Jordan, katër vjeç, dhe Holly, tre vjeçe, humbën jetën në një zjarr në një strehimore në perëndim të Dublinit. Në të njëjtin zjarr vdiqën edhe motra e Biddyt, Anne Marie O’Brien, e cila ishte shtatzënë, si dhe vajza e saj dyvjeçare, Paris.
Biddy ishte e vetmja e mbijetuar nga zjarri, por kaloi disa javë në kujdes intensiv. Pasi u zgjua nga koma, ajo mori lajmin tragjik për humbjen e fëmijëve dhe të familjarëve të saj.
Hetimet për vdekjen e çiftit po vazhdojnë, ndërsa policia u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë informacione për rastin të bashkëpunojnë me autoritetet./Klankosova.tv

