Komisioni Evropian (KE) i ka kërkuar Serbisë të shmangë retorikën nxitëse ndaj Kosovës dhe të ndërmarrë hapa konkretë për arrestimin dhe ndjekjen penale të personave të dyshuar për sulmin e armatosur në Banjskë.
Në përgjigje për Euronews Albania, zëdhënësi i KE-së ka shprehur shqetësimin për deklaratat e politikanëve serbë dhe për mungesën e veprimeve ndaj personave të dyshuar.
Reagimi i Brukselit vjen pas deklaratave të Millosh Jovanoviqit, i cili gjatë fushatës zgjedhore vizitoi Prizrenin dhe u shpreh se “Kosova është Serbi”, si dhe të ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiq, i cili deklaroi se flamuri serb do të valëvitej sërish mbi qytet.
Zëdhënësi i BE-së theksoi se liderët politikë duhet të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi e stabiliteti në rajon.
Sipas tij, është e rëndësishme që të ketë përparim në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ne presim që të gjithë liderët politikë të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi besimi e stabiliteti rajonal, si dhe në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, tha ai.
Intervista e plotë:
Pyetje: Gjatë fushatës politike në Serbi, Milos Jovanoviç deklaroi në Prizren se “Kosova është Serbi” dhe se “ajo që është e jona nuk mund t’i jepet askujt”. Ndërkohë, ministri i Brendshëm Ivica Daçiç parashikoi se flamuri serb do të valëvitej sërish mbi Prizren. Si i vlerëson Komisioni Evropian këto deklarata, duke pasur parasysh statusin e Kosovës si shtet i pavarur?
Përgjigje: Ne presim që të gjithë liderët politikë të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi besimi e stabiliteti rajonal, si dhe në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Pyetje: Pavarësisht kësaj retorike, Serbia vazhdon të marrë mbështetje të konsiderueshme financiare nga Bashkimi Evropian. A do të shqyrtojë Komisioni masa konkrete përtej deklaratave publike dhe kritikave diplomatike, në përgjigje të retorikës që sfidon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës?
Përgjigje: Komisioni vlerëson në mënyrë të vazhdueshme nëse përmbushen kushtet përkatëse për mbështetjen nga instrumentet financiare të BE-së. Këtu përfshihet kushti paraprak që përfituesit e Instrumentit për Reforma dhe Rritje të respektojnë dhe të garantojnë funksionimin efektiv të mekanizmave demokratikë dhe të shtetit të së drejtës, si dhe kushti paraprak që lidhet me Dialogun Beograd–Prishtinë.
Pyetje: Kur një politikan serb deklaron se flamuri serb do të valëvitet sërish mbi Prizren, a duhen marrë seriozisht deklarata të tilla, duke pasur parasysh historinë e konflikteve në rajon dhe sulmin e armatosur në Banjskë në shtator 2023? A sheh Komisioni nevojën për një reagim më të fortë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm?
Përgjigje: BE-ja ka kërkuar vazhdimisht që personat përgjegjës për sulmin në Banjskë të vitit 2023 të mbajnë përgjegjësi, përfshirë Milan Radoiçiçin.
Pyetje: Milan Radoiçiç, i kërkuar nga autoritetet e Kosovës në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë, është shfaqur së fundmi në një tubim elektoral në Serbi, përkrah djalit të presidentit Aleksandar Vuçiç. A e konsideron Komisioni këtë një çështje shqetësuese, veçanërisht duke pasur parasysh kërkesat ende të papërmbushura për vënien para përgjegjësisë të personave të përfshirë në sulm? Çfarë mesazhi përcjell kjo lidhur me gatishmërinë e Serbisë për të përmbushur detyrimet e saj evropiane?
Përgjigje: Na vjen keq që, deri më sot, Serbia ende nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për arrestimin dhe ndjekjen penale, me akuzat e duhura, të personave që ndodhen në territorin e saj. Ne mbetemi gjithashtu të shqetësuar nga raportimet për pjesëmarrjen e personit të dyshuar për kryerjen e veprës penale në një tubim parazgjedhor të Partisë Progresive Serbe (SNS), e cila është në pushtet. Presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanaleve të vendosura për ndihmën e ndërsjellë juridike. Kjo çështje ka mbetur pezull prej kohësh dhe Serbia duhet të ndërmarrë hapa për ta trajtuar atë pa vonesa.

